Vetingu në polici, Muhamet Rrumbullaku sqaron fotot me Arben Frrokun

17 Nëntor 2020 | 14:12

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) në Policinë e Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, sqaroi sot përpara Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit të zyrtarëve të policisë disa fotografi të shkrepura vite më parë, të cilat kompromentonin figurën e tij.

Rrumbullaku, falë edhe të dhënave të përcjella nga prokuroria dhe policia, arriti t’i bindë anëtarët e Komisionit se takimi i përcjellë në fotot në fjalë ka qenë rastësor. Në dy kriteret e tjera, atë të pasurisë dhe përgatitjes profesionale ai rezultoi në rregull dhe kjo mund të bëjë që ai ta kalojë vetingun.

Fotot e publikuara gjerësisht në media në vitin 2013, pas denoncimeve të bëra asokohe nga deputeti socialist Saimir Tahiri, tregojnë Rrumbullakun së bashku me kolegët e tij Agron Kuliçaj, Tonin Vocaj e Nikol Bala në një drekë bashkë me Arben Frrokun, ky i akuzuar asokohe për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.

Rrumbullaku tha se fotot janë bërë në vitin 2011. Se ato i ka postuar në Facebook më 24 prill të atij viti dhe se takimi ka qenë rastësor pas shërbimit me kolegët e tij.

Frroku thuhet se i është bashkuar tavolinës më vonë. Ndërkohë që vrasja e Lamajt ka ndodhur më 25 shkurt 2013.

Komisioni i vlerësimit ka hetuar çështjen në fjalë duke marrë të dhëna nga prokuroria dhe policia, të dhëna të cilat kanë nxjerrë përfundimin se pretendimet e Rrumbullakut qëndrojnë, pra se “takimi ka qenë rastësor” dhe se deri më sot “nuk ka asnjë dokument tjetër që vërteton të kundërtën” se “Rrumbullaku ka pasur njohje dhe kontakte me Frrokun”.

Fotot në fjalë u publikuan pas vrasjes së komisarit Lamaj dhe arrestimit të Frrokut në Greqi. Asokohe Partia Socialiste akuzoi, përmes fotove në fjalë, qeverinë se “kupola drejtuese e policisë ka pasur kontakte dhe ka ndihmuar në largimin e Frrokut nga vendi”.

Rreth një vit më vonë pas akuzave, kur ministër i Brendshëm u bë Saimir Tahiri, Rrumbullaku, Vocaj dhe Kuliçaj u shkarkuan nga detyra. Mirëpo në fillim të vitit 2019, ministri aktual Sandër Lleshaj, e riktheu Rrumbullakun në detyrë si drejtues i SHÇBA.

Arben Frroku në prill 2015 u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pafajësi që i dha mundësinë atij të largohej nga vendi, por çështja për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj u apelua dhe Frroku u dënua në mungesë me burg përjetë.

Në prill 2016 ai u arrestua në Holandë me identitetin fals Renato Xhepa. Prej asaj kohe ai mundi të nisë një proces gjyqësor paralel, me pretendimin se kishte marrë dënim “në shkelje të të drejtave të njeriut”.

Me këtë pretendim ai mundi të rrëzojë kërkesat për ekstradim nga autoritetet shqiptare dhe në janar të këtij viti, drejtësia holandeze e dënoi vetëm 18 vite burg, dënim të cilin Frroku e ri-apeloi.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026