Merkel thirrje gjermanëve të jenë të kujdesshëm nga mutacionet e reja të COVID-19

11 Shkurt 2021 | 11:32

Një ditë pasi autoritetet në Gjermani vendosën të zgjasin izolimin deri më 7 mars, para Bundestagut, kancelarja Merkel mbrojti këto masa duke u bërë thirrje gjermanëve të jenë ekstremisht të kujdesshëm si dhe solli në vëmendje rrezikshmërinë që paraqesin variantet e reja të virusit.  

Këto mutacione u shpreh Merkel mund të shkatërrojnë çdo sukses të arritur deri më tani.

“Varianti anglez i virusit është më i përhapuri në vendin tonë. Ekspertët na thonë se është vetëm çështje kohe derisa këto variante të bëhen dominante dhe të largojnë virusin origjinal. Ne duhet të përgatitemi për këtë”, u shpreh kancelarja.

Merkel shtoi se kufizimet e vendosura për të frenuar përhapjen e COVID-19 nuk do të mbahen një ditë më shumë sesa është e nevojshme.

“Të gjitha masat e marra bazohen në rregullat e demokracisë sonë. Kjo i bën të ligjshëm, por unë e di shumë mirë që si demokraci ne jemi gjithashtu të detyruar të mos i mbajmë këto kufizime një ditë më shumë sesa është e nevojshme dhe t’i heqim ato në kohën e duhur. Ky është pikërisht qëllimi i qeverisë gjermane dhe unë e di se është gjithashtu qëllimi i të gjithë parlamentit gjerman”, tha ajo më tej.

Sipas marrëveshjes së arritur një ditë më parë mes krerëve të landeve shumë aspekte të bllokimit aktual që ishte në fuqi deri më 14 shkurt, do të zgjaten.

Përjashtim do të bëjnë vetëm disa biznese, teksa më 1 mars do të lejohet hapja e parukerive nën kushte të rrepta të ruajtjes së higjienës.

Me vendimin e ri, baret, restorantet dhe shumë dyqane do të vijojnë të mbeten të mbyllura sikundër edhe shkollat.

Qytetarët gjermanë janë të detyruar të mbajnë maska të kategorisë FFP2  dhe nuk lejohen kontaktet me më shumë se dy persona.

Izolimi i dytë në Gjermani filloi në nëntor dhe u zgjat deri përpara Krishtlindjeve, për shkak të shqetësimit se numri i pacientëve me Covid-19 mund të mbingarkonte spitalet. 

Lexoni gjithashtu:

Gjermania e izoluar deri më 7 mars, Merkel dhe krerët e landeve vendosin zgjatjen e masave anti-COVID

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026