Kur do të quhet e vlefshme vota? Analistët shpjegojnë dilemat në “Barometri Politik”

4 Mars 2021 | 20:12

Shumica e shqiptarëve vijon të ketë prirje të votojë partitë dhe jo kandidatët, pavarësisht se në këto zgjedhje qytetarët kanë mundësi t’i zgjedhin të dyja alternativat. Analistët duke diskutuar të dhënat dhe gjetjet e sondazhit të MRB tregojnë se procesi i votimit më 25 prill do jetë një sfidë më vete.

Pedagogu Blendi Çeka, thekson që si pasojë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, qytetarët, partitë, por edhe kandidatët do të përballen me një sfidë të re në lidhje me vlefshmërinë e votës.

“Kjo është një pyetje që mat njohurinë në sensin çfarë dinë qytetarët se çfarë mundësie kanë për të votuar në zgjedhjet e ardhshme. Ne kemi të drejtë të votojmë partinë dhe një kandidat nga lista e kësaj partie. 36.6 % e dinë këtë gjë, pjesa tjetër nuk e dinë këtë gjë. Çfarë tregon kjo gjë? Si pasojë e ndryshimit që ka ndodhur në Kodin Zgjedhor dhe votën preferenciale si qytetarët, si partitë si kandidatët e tyre janë përballë një përvojë të re’, tha ai.

Zoti Çeka thotë se KQZ-ja ka një sfidë të madhe për të informuar qytetarët, pasi fleta e votimit do jetë e ndryshme në 12 qarqet e vendit, dhe për këtë theksoi ai mesazhi për procesin e votimit duhet të jetë i diversifikuar.

“KQZ duhet ta bëjë shumë të qartë se si do funksionojë votim i në këto zgjedhje. Fakti që kemi 12 rajone, fleta e votimit do ndryshojë sipas rajonit. Në vitin 2017 ne kemi pasur 2% të votave të pavlefshme. Problemi nëse shkojnë nga 2 dhe rritet në 4, 5, 6 % dhe rritet ky është një numër shumë i madh, dhe si pasojë e mungesës së informacionit dëmtohet vullneti”, shtoi ai.

Lidhur me modelet e fletës së votimit, që do jetë me numra apo me emra, gazetari Neritan Sejamini shpjegoi  detaje konkrete se kur vota mund të cilësohet e vlefshme.

“Mund të votosh partinë tënde, mund të votosh për një kandidat të një partie tjetër dhe fleta e votimit është e vlefshme. Është e pamundur të votosh për partinë dhe kandidatin e partisë tjetër nëse fleta e votimit është me numra. Zgjedhja e partisë e bllokon listën, praktikisht po zgjodhe partinë ti nuk voton për një kandidat të një partie tjetër nëse fleta është me numra, nëse ke sistemin tjetër nëse do shkruash emrin është çështje tjetër. Nëse ke votuar qartë për partinë, pavarësisht se çfarë ke bërë një pjesën tjetër, vota është e vlefshme për partinë.  Në qoftë se ti voton për partinë, vota është e vlefshme çfarëdo që të bësh me kandidatin. Votimi vetëm për kandidatin vota nuk i shkon as kandidatit dhe as partisë”, tha ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara