Rusia sulmon ndërtesat e banimit në Zaporizhja, raportohet për 13 të plagosur
Rusia kreu sulme ajrore në qytetin Zaporizhja të Ukrainës, duke i dëmtuar disa blloqe të ndërtesave të larta të banimit dhe duke plagosur 13 civilë si pasojë, thanë zyrtarët ukrainas të hënën.
Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se ekipet e shpëtimit i kanë evakuuar banorët nga disa ndërtesa të dëmtuara, shkruan REL.
Edhe një ditë më parë zyrtarët ukrainas raportuan për një sulm të ngjashëm rus në ndërtesat e larta të banimit në qytetin Harkiv, ku u plagosën 21 njerëz.
Rusia e mohon se kryen sulme ndaj civilëve, por mijëra ukrainas kanë vdekur si rrjedhojë e sulmeve të tilla prej se presidenti Vladimir Putin e nisi pushtimin e plotë, të paprovokuar, të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Derisa ushtria ruse e kreu këtë sulm, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ndodhej në Shtetet e Bashkuara, ku do të marrë pjesë në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë dhe do të takohet me liderët botërorë, përfshirë me presidentin amerikan, Joe Biden.
Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se të dhënat fillestare tregojnë se Rusia përdori bomba të telekomanduara KAB në sulmin në Zaporizhja.
KAB-at janë bomba të riparuara sovjetike që ushtria ruse i ka përdorur në lindje të Ukrainës. Ato u përdorën edhe në sulmin e fundit në Harkiv, sipas zyrtarëve ukrainas.
Guvernatori i Zaporizhjas, Ivan Fedorov, tha se disa ndërtesa banimi janë dëmtuar si pasojë e sulmeve të natës në këtë qytet.
Ai tha se janë vendosur shatorre për t’i ndihmuar banorët e ndërtesave të dëmtuara.
Fedorov theksoi se në përgjithësi, Rusia i ka kryer 363 sulme ajrore dhe tokësore në ditën e fundit në 12 vendbanime në rajonin kufitar të Zaporizhjas.
Ndërkohë, Zelensky e vizitoi të dielën fabrikën e armëve në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara, në të cilën prodhohen municione vendimtare për përpjekjet e vendit të tij për ta zmbrapsur pushtuesin.
Presidenti ukrainas po shpreson se në SHBA do të marrë leje për përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi për të kryer sulme thellë brenda Rusisë ndaj fushave ajrore dhe depove të armëve që janë thelbësore për luftën e Moskës.
“Këtë vjeshtë ne do ta vendosim të ardhmen e kësaj lufte”, shkroi Zelensky në ‘X’.
LEXONI GJITHASHTU:
Treni i mallrave përplaset me një kamion në SHBA, 1 viktimë dhe 1 i plagosur rëndë! 17 vagona dalin nga shinat
11 raste në një javë, disa avionë rusë janë interceptuar në Baltik
Ushtria amerikane sulm ndaj një anije të dyshuar me drogë në Oqeanin Paqësor, dy viktima
- 14:39 Treni i mallrave përplaset me një kamion në SHBA, 1 viktimë dhe 1 i plagosur rëndë! 17 vagona dalin nga shinat
- 14:27 11 raste në një javë, disa avionë rusë janë interceptuar në Baltik
- 14:22 11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra të vizave nga BE për qytetarët rusë
- 14:12 Ushtria amerikane sulm ndaj një anije të dyshuar me drogë në Oqeanin Paqësor, dy viktima
- 14:05 Erion Braçe del kundër Ramës për Zvërnecin (VIDEO)
- 14:03 SPAK sekuestron vilën në Dhërmi, akuza të reja ndaj Belinda Ballukut