Biden nënshkruan ligjin për financimin e qeverisë, shmanget mbyllja e pjesshme e saj
Presidenti Joe Biden nënshkroi ligjin që shmangu mbylljen e pjesshme të qeverisë ndërsa afrohen festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.
Nënshkrimi nga presidenti u jep fund ditëve të pasigurisë në kryeqytetin e vendit pasi Kongresi miratoi një plan dypartiak për buxhetin pak pas skadimit të afatit, që nuk përfshinte kërkesën e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të rritur tavanin e borxhit.
Legjislacioni siguron financimin e qeverisë në nivelet aktuale deri më 14 mars dhe parashikon 100 miliardë dollarë ndihmë për fatkeqësitë natyrore dhe 10 miliardë dollarë ndihmë bujqësore për fermerët.
Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, Senati i SHBA miratoi projekt-ligjin mbi shpenzimet për të financuar qeverinë amerikane deri në mars.
Të dy dhomat e Kongresit, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët dhe Senati i kontrolluar nga demokratët, duhej ta miratonin projektligjin për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë.
Votimi në Senat me 85 vota pro dhe 11 kundër, pasoi votimin në Dhomën e Përfaqësuesve, pas dy përpjekjeve të dështuara. Votimi në këtë dhomë ishte 366 në favor dhe 34 kundër. Të gjitha votat kundër u hodhën nga republikanët.
“Jemi entuziastë me këtë rezultat,” tha zoti Johnson pas votimit, duke shtuar se ai kishte folur me zotin Trump dhe presidenti i zgjedhur “ishte gjithashtu i kënaqur me rezultatin”.
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve arritën një marrëveshje mes tyre për një propozim të ri më herët të premten. Përpjekja e fundit për të shmangur mbylljen e qeverisë erdhi pasi republikanët në Kongres dështuan të enjten të miratonin një projekt-ligj për shpenzimet të mbështetur nga zoti Trump që do të kishte rritur tavanin e borxhit, gjë që Presidenti i zgjedhur e kishte kërkuar në minutën e fundit.
Dhjetra republikanë votuan kundër projektligjit të së enjtes dhe vetëm dy demokratë e mbështetën atë. Plani i ri është i njëjti me atë që dështoi të enjten, përveç pjesës për pezullimin e tavanit të borxhit.
Problemet për zotin Johnson filluan këtë javë kur ai braktisi një marrëveshje financimi dypartiake që kishte arritur me demokratët pasi zoti Trump dhe miliarderi Elon Musk e kritikuan planin.
Edhe pse Dhoma e miratoi projektligjin, financimi i qeverisë teknikisht do të kishte skaduar në mesnatën e së premtes. Megjithatë, pjesa më e madhe e pasojave nga mbyllja e saj nuk do të hynte në fuqi deri të hënën.
Mbyllja më e gjatë në histori e qeverisë amerikane zgjati 34 ditë, nga dhjetori 2018 deri në janar 2019, kur presidenti i atëhershëm Trump refuzoi të nënshkruante çdo projekt-ligj që nuk përfshinte disa miliardë dollarë për një mur përgjatë kufirit të SHBA-së me Meksikën. Ajo përpjekje ndikoi tek ulja e mbështetjes për të.
LEXONI GJITHASHTU:
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta