Ukraina pranon avionët e parë luftarakë francezë, Mirage 2000

6 Shkurt 2025 | 15:08

Franca njoftoi të enjten se ia ka dorëzuar Ukrainës avionët e parë luftarakë, Mirage 2000, duke ia rritur mundësitë Kievit për ta mbrojtur hapësirën e vet ajrore nga bombardimet e pareshtura ruse.

“Avionët e parë të këtij lloji kanë mbërritur sot në Ukrainë”, tha ministri i Mbrojtjes i Francës, Sebastien Lecornu, në një shkrim në X të enjten.

Ai nuk tregoi se sa avionë luftarakë francezë u dërguan në Ukrainë.

“Me pilotë ukrainas në bord, pasi ata u stërvitën për disa muaj në Francë, këta avionë do të ndihmojnë për ta mbrojtur qiellin mbi Ukrainë”, shtoi ai.

Parisi pati njoftuar se do t’i dorëzonte Ukrainës avionë luftarakë, Mirage 2000, në fillim të vitit 2025. Këta avionë janë të armatosur me raketa ajër-tokë dhe me masa kundër luftës elektronike.

Ukraina ka kërkuar prej kohësh avionë luftarakë modernë nga vendet e Perëndimit, veçanërisht avionët F-16 dhe Mirage. Në vitin 2023, disa vende aleate u pajtuan t’i dhuronin Ukrainës avionë F-16 me pëlqimin e SHBA-së. Avionët e parë F-16 iu dorëzuan Kievit në gusht 2024.

“Ky është një tjetër hap drejt forcimit të sigurisë së Ukrainës”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për mbërritjen e avionëve.

“Me ardhjen e këtyre avionëve, ne po vazhdojmë zgjerimin e flotës sonë të F16-shave, me Holandën që po i përmbush premtimet për ta mbështetur këtë përpjekje”, shtoi ai.

Ukraina po bën përpjekje për t’i zmbrapsur sulmet e pareshtura ajrore të Rusisë dhe ta frenojë përparimin e ushtrisë ruse në vijën e frontit, në prag të përvjetorit të tretë të luftës më 24 shkurt.

Në të njëjtën kohë, Kievi ka ndërmarrë ofensiva aty ku ka mundur për ta forcuar pozicionin e tij, në një kohë kur Perëndimi po përpiqet t’i rinisë bisedimet për një armëpushim dhe për një marrëveshje të mundshme paqeje.

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha të enjten se kreu sulm me dronë gjatë natës në bazën ajrore Primorsko-Ahtarsk në rajonin Krasnodar të Rusisë.

Sipas zyrtarëve ushtarakë ukrainas, kjo bazë shërbente si pikë kyç për ruajtjen, përgatitjen dhe lëshimin e dronëve Shahed, si dhe për mirëmbajtjen e avionëve që mbështesin operacionet ruse në rajonet Zaporizhja dhe Herson të Ukrainës.

Kanale ruse në Telegram dhe banorë të qytetit Primorsko-Ahtarsk raportuan për sulmin me dronë, ndërsa video të shpërndara në internet shfaqën zjarr pranë fushës ajrore.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026