BE, përfitimet ekonomike nga plani i riarmatimit
Aksionet e disa firmave evropiane të mbrojtjes regjistruan rritje dyshifrore në javët e fundit, duke përmbysur frikën e përgjithshme në tregjet globale të aksioneve nga pasojat e një lufte të mundshme tregtare.
Evropa po angazhohet në forcimin e mbrojtjes së saj pasi Uashingtoni sinjalizoi se siguria evropiane nuk do të jetë më përparësi e tij.
“Tregu i aksioneve e ka kuptuar gjithashtu se Evropa duhet të mbrohet vetë në përputhje me rrethanat e reja, sepse duket se Shtetet e Bashkuara po marrin një rol dytësor si një partner i besueshëm i saj”, thotë Tim Oechsner nga banka gjermane Steubing AG.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar prej kohësh që Evropa të shpenzojë më shumë për mbrojtjen e saj, duke argumentuar se Uashingtoni nuk duhet të paguajë më për këtë.
Në takimin në Bruksel të enjten, krerët e Bashkimit Evropian, së bashku me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, diskutuan “Planin Riarmatimi i Evropës” prej 860 miliardë dollarësh të financuar nga bonot e thesarit të BE-së dhe rregullat e lehtësuara për huamarrjen dhe shpenzimet.
“Paratë janë më pak problem sesa vendosmëria. Ne pamë pas pandemisë së koronavirusit se si Evropa dhe BE-ja ishin në gjendje të mobilizonin shpejt qindra miliarda euro”, thotë Mattia Nelles nga Byroja Gjermano-Ukrainase, një firmë konsulence me seli në Dyseldorf.
Vendet anëtare të BE-së po rrisin gjithashtu shpenzimet e mbrojtjes. Friedrich Merz, që pritet të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, u zotua të lehtësojë rregullat e ashpra gjermane të huamarrjes.
“Dua të jem shumë i qartë këtu. Çfarëdo që është e nevojshme duhet gjithashtu të shkojë për mbrojtjen tonë tani, duke patur parasysh kërcënimet ndaj lirisë sonë dhe paqes në kontinentin tonë”, tha ai.
Vendimi i administratës së Presidentit Trump për të pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe për të kufizuar përdorimin e disa armëve të prodhuara nga Amerika ka nënvizuar dëshirën e Evropës për të forcuar aftësitë e veta ushtarake.
“Është e rëndësishme, që paratë që shpenzojmë, të paktën të qëndrojnë në Evropë. Ne nuk duhet të blejmë sisteme armësh amerikane me këto para”, thotë Robert Halver nga banka gjermane Baader Bank.
Udhëheqësit evropianë janë zotuar gjithashtu të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.
Por, a mundet Evropa të riarmatoset dhe njëkohësisht të vazhdojë të furnizojë Ukrainën me armë?
“Ju nuk mund të ndërtoni një kompleks industrial të mbrojtjes brenda natës. Kjo nuk është diçka që do të shfaqet papritmas dhe sigurisht që nuk do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë mbi luftën në Ukrainë”, thotë eksperti britanike Mark Galeotti nga firma Mayak Intelligence.
Jo të gjithë evropianët janë dakord me këtë. Hungaria dhe Sllovakia kanë shprehur kundërshtime ndaj mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën.
“Vazhdimi i luftës është i gabuar dhe i rrezikshëm”, tha kryeministri hungarez Viktor Orban për luftën në Ukrainë.
Jashtë ndërtesës ku po mbahej samiti i BE-së, protestuesit bënë thirrje që Evropa të konfiskonte 200 miliardë dollarë të pasurive ruse të ngrira në bankat evropiane dhe t’i përdorte ato para për të mbrojtur Ukrainën.
LEXONI GJITHASHTU:
Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit
- 09:24 Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 09:08 Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut