Kurset profesionale në Vlorë, mbi 550 persona në kërkim të zanatit të preferuar

5 Maj 2021 | 16:29

Kërkesat për kurse profesionale për të marrë një zanat shtohen dita-ditës. Në Drejtorinë e Formimit Profesional në qytetin e Vlorës ndodhen salla të posaçme për profesione si kuzhinier, elektricist, mekanik, parukiere, berber apo dhe web design. Çdo ditë, kursantë të moshave nga 20 deri në 50-vjeç trajnohen për të marrë zanatin e preferuar.

Numri i kursantëve që ndjekin kurset profesionale në këtë qendër është 551. Kërkesat më të larta janë për kurset e kuzhinës, për arsye të kërkesave të tregut të punës në qytetin në bregdetar.

“Jemi të fokusuar te gama e hoteleri-turizmit, sidomos në pjesën e restoracionit. Më të kërkuara si kurse janë ato të kuzhinës, pastiçerisë, picajol dhe banakier, pasi edhe kërkesat për punësim janë më të larta në këtë drejtim, kryesisht kursi i kuzhinës ka frekuentimin më të lartë, por edhe punësimin më të lartë. Vitin e fundit kemi nisur edhe kurset e teknologjisë së informacionit si web design dhe kemi pasur regjistrime të shumta, sidomos nga të rinjtë, pasi ofron mundësi shumë të mira punësimi”, thotë Klajdi Myzaferaj, drejtor i Formimit Profesional Vlorë.

Në kursin e kuzhinës gjetëm kursantë të moshave të ndryshme dhe nga vende të ndryshme, të cilat kërkojnë të marrin një profesion që do i ndihmojë të integrohen në tregun e punës.

“Kam një muaj e gjysmë që ndjek kursin e kuzhinën dhe vij nga Frankfurti, Gjermani. Kam ardhur apostafat të ndjek kursin e gjuhës dhe kuzhinës, sepse na duhet një certifikatë që kemi mbaruar një kurs kuzhine që të mund të punojmë jashtë shtetit”, shprehet Majlinda Luzi.

“Kam dhjetë vite që jetoj në Greqi dhe punoj në një restorant. Atje lindi ideja që të kem mundësi të punoj në kuzhinë  dhe kështu erdha në Shqipëri të ndjek kursin dhe të marr një certifikatë. Do përfundoj kursin dhe do kthehem prapë në punën time në Greqi”, tregon Aleksandër Nimini.

Instruktorja e kursit të kuzhinës, Shaqe Nelaj tha se kërkesat përfshijnë të gjitha moshat.

“Mosha mesatare është 40 vjeç, në fakt sapo mbarojnë gjimnazin janë të interesuar për kursin e kuzhinës, por së fundmi kemi goxha kërkesa edhe për pastiçerinë. Po kursi më i frekuentuar mbetet kuzhina, pasi edhe punësimi është i menjëhershëm”, thotë znj. Nelaj.

Në kursin e web design të rinjtë studentë apo gjimnazistë shprehen se për ta është një mundësi e mirë për punësim jashtë vendit.

“Kam një muaj qe ndjek kursin dhe do vijoj. Me pëlqen, është një kurs interesant. Jam në shkollë të mesme për informatikë. E kam zgjedhur se është diçka ndryshe nga profesionet e tjera”, thotë një i ri.

Në Qendrën e Formimit Profesional në Vlorë, një kurs i rëndësishëm është edhe ai i udhërrëfyesit turistik i cili me nisjen e pandemisë pati një lloj frenimi, por mbetet gjithsesi një kurs i shumëkërkuar nga të rinjtë.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026