100 ditë nga vendimi që ndalon abortin në Poloni, gratë polake luftojnë ndërsa gjejnë mënyra alternative

12 Maj 2021 | 18:21

Maja, një grua 27-vjeçare nga një qytet i vogël në rajonin verilindor polak të Podlasie, nuk ishte as financiarisht dhe as emocionalisht e gatshme për një fëmijë tjetër, kur ajo zbuloi se ishte shtatzënë.

Meqenëse aborti legal në vendin e saj nuk është më një opsion, ajo kontaktoi një grup ilegal që siguronte pilula aborti dhe i konsumoi ato ndërsa ushqente me gji foshnjën e saj 11-muajshe.

Një grua tjetër, Anita, donte të lindte një fëmijë, por kur ishte 13 javë shtatzënë u informua nga mjeku se për shkak të një defekti gjenetik, fëmija i saj do të vdiste brenda disa orësh menjëherë pas lindjes, ose edhe më përpara.

Janë plotësuar tashmë 100 ditë që kur Gjykata Kushtetuese në Poloni vendosi një ndalim gati të plotë të abortit dhe historitë e Majas dhe Anitës janë bërë tashmë diçka shumë e zakonshme në atë shtet. Ligji i ri ndalon gratë të ndërpresin shtatzëninë edhe në raste të rënda dhe të pakthyeshme të fetusit.

Që prej datës 27 janar, përjashtimet e vetme nga ndalimi total i abortit janë në rastet e përdhunimit ose inçestit, ose kur shëndeti i nënës është në rrezik. Mjekët që kryejnë aborte përballen me 3 vjet burg.

Si rezultat, shumë gra polake janë të detyruara ta vazhdojnë shtatzëninë kundër vullnetit të tyre, ndërsa disa prej tyre udhëtojnë jashtë vendit për të abortuar. Ka edhe nga ato gra që e kryejnë abortin me mjete rrethanore, në shtëpitë e tyre.

Ligji i ri në Poloni nxiti protesta masive, më të mëdhatë në vend që prej epokës post-komuniste. Gjithashtu, vendimi i Polonisë është dënuar nga ndërkombëtarët, përfshi edhe Bashkimin Evropian.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese polake, “Aborti pa Kufij”, një iniciativë që zuri fill në vitin 2019 për të mbështetur gratë me shtatzëni të padëshiruara në Poloni dhe jashtë saj, thotë se ka ndihmuar një total prej 17,000 grash që të kenë akses në abort në shtëpi, duke përdorur pilula, ose në klinika jashtë vendit. Kjo është një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitin 2019, kur 5,000 gra iu drejtuan grupit për t’i ndihmuar në ndërprerjen e shtatzënësisë.

15-vjeçarja Kasia, ishte një nga vajzat që u ndihmuan me anë të kësaj iniciative. Ajo ishte 12 javë shtatzënë kur arriti t’i tregonte nënës së saj se priste një fëmijë. Ishte e ëma ajo që kontaktoi Abortin pa Kufij për vajzën e saj. Kasia e kreu abortin në Holandë, muajin e kaluar.

Të drejtat e grave në Poloni duket se janë të rrezikuara, ndërsa ata që mbrojnë këto të drejta përballen me kërcënime dhe shtypje.

“Ekziston kjo atmosferë terrori që agjentët shtetërorë po përpiqen t’i imponojnë kujtdo që nuk dëshiron t’i bindet axhendës fondamentaliste,” tha Donadio, drejtues i strategjisë dhe partneritetit në IPPF-EN, duke treguar për Euronews një raport të lëshuar muajin e kaluar nga IPPF-EN, Human Rights Watch dhe CIVICUS.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona

Katër persona humbën jetën të enjten pas një aksidenti të një aeroplani të vogël pranë qytetit Medulin në Istria, në bregdetin e Kroacisë. “Sipas informacionit që...
14:50 | 04/06/2026

11 raste në një javë, disa avionë rusë janë interceptuar në Baltik

Avionët luftarakë francezë u ngritën 11 herë gjatë javës së kaluar si pjesë e Misionit të Patrullimit Ajror Baltik të NATO-s, tha të enjten zëdhënësi...
14:27 | 04/06/2026

11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra të vizave nga BE për qytetarët rusë

Njëmbëdhjetë shtete anëtare të BE-së i kanë kërkuar Komisionit Evropian të vendosë kufizime më të rrepta dhe detyruese për vizat Shengen për qytetarët rusë, duke...
14:22 | 04/06/2026