Erdogan akuzon Izraelin për agresion: Nuk do ta lejojë kurrë copëtimin e Sirisë

18 Korrik 2025 | 10:58

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar Izraelin se po përdor popullsinë druze në Siri si pretekst për agresion, duke theksuar se Turqia nuk do të lejojë asnjë përpjekje për copëtimin e vendit fqinj.

“Ne nuk dhamë pëlqimin për copëtimin e Sirisë dje dhe sigurisht nuk do ta japim as sot e as nesër,” deklaroi Erdogan pas mbledhjes së kabinetit qeveritar në Ankara, sipas agjencisë Anadolu.

Sipas presidentit turk, “Izraeli ka përdorur druzët si justifikim për ta zhvendosur banditizmin e tij në territorin sirian gjatë dy ditëve të fundit.” Erdogan paralajmëroi se “ata që mbështeten te Izraeli herët a vonë do ta kuptojnë se kanë bërë një gabim të madh në llogaritje.”

“Izraeli është një shtet terrorist që nuk njeh ligjin, shkel rregullat, është pa parime, arrogant, i llastuar dhe i etur për gjak,” theksoi kreu i shtetit turk.

Ai nënvizoi se një Siri e qëndrueshme do të sillte stabilitet për të gjitha vendet e rajonit: “Përndryshe, të gjithë do ta mbajnë barrën e pasojave.”

“Ne po monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet në Siri, duke mbajtur komunikim me homologët tanë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë,” shtoi Erdogan. Ai tha se politika e Turqisë mbetet respektimi i integritetit territorial dhe unitetit të Sirisë.

“Përmes një politike të jashtme të ndershme dhe përpjekjeve diplomatike, Turqia qëndron në anën e paqes. Ne nuk kemi asnjë dashakeqësi ndaj askujt; kërkojmë vetëm paqe,” përfundoi presidenti turk.

Tensionet në jug të Sirisë janë rritur ndjeshëm pas përleshjeve midis fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze në provincën Suwayda më 13 korrik. Përleshjet çuan në dhjetëra viktima në radhët e forcave të sigurisë siriane.

Pavarësisht një armëpushimi të arritur mes palëve, konfliktet u përshkallëzuan, duke u ndjekur nga sulme ajrore të ushtrisë izraelite ndaj objekteve strategjike në Damask dhe Daraa. Më 16 korrik, avionët luftarakë izraelitë goditën kompleksin presidencial, selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrinë siriane të Mbrojtjes.

Që nga tërheqja e forcave të sigurisë nga Suëayda, raportohen qindra viktima nga përleshjet dhe sulmet ajrore izraelite, ndërsa situata mbetet e tensionuar.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026