“Abuzoi me detyrën”, Matthew Palmer reagon për vendimin e DASH ndaj Berishës
Në një prononcim për “Zërin e Amerikës”, zv. ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer, u shpreh se përcaktimi i figurave të huaja publikisht nga Sekretari i Shtetit për përfshirje në korrupsion është një prej mjeteve që përdorin Shtetet e Bashkuara për të luftuar korrupsionin. I pyetur në lidhje me kohën e daljes së njoftimit për ish presidentin Sali Berisha, z. Palmer tha se koha nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë.
“Nuk do t’i kushtoja rëndësi momentit kohor, por ajo që ka rëndësi është serioziteti me të cilin e marrin Shtetet e Bashkuara çështjen e korrupsionit publik. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë për të përdorur ato instrumente që kemi të disponueshme, përfshirë sanksione sipas nevojës, me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit publik dhe për t’u siguruar se ka llogaridhënie për ata që abuzojnë me besimin e publikut”, tha z. Palmer.
Z. Palmer tha se ish kryeministri Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij si edhe për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit.
“Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht”, shtoi z. Palmer.
Zv. ndihmës Sekretari i Shtetit tha se ky është një ndër instrumentet që SHBA-të kanë për të luftuar korrupsionin publik.
“Ne i qëndrojmë në krah popullit shqiptar kundër korrupsionit publik dhe përcaktimi i z. Berisha, që e bën atë të pakualifikuar për një vizë për në Shtetet e Bashkuara, i bën anëtarët e afërm të familjes së tij të pakualifikuar për viza drejt Shteteve të Bashkuara, është një dëshmi e këtij angazhimi”, tha z. Palmer.
Gazetarja e Zërit te Amerikës në SHBA, Menada Zaimi, dha detaje për Euronews Albania mbi shpalljen non grata të Sali Berishës nga Sekretari i Shtetit. Ajo tha se bëhet fjalë për një vendim administrativ dhe politik të qeverisë amerikane kur kjo e fundit konsideron se niveli i korrupsionit është në nivele domethënëse për një zyrtar.
“Është një e drejtë që ja njeh Kongresi amerikan, sekretarit të Shtetit amerikan, një mekanizëm që i jepet në dorë për të reaguar në rastet madhore të korrupsionit”, u shpreh znj. Zaimi.
Menada Zaimi tha se kjo e drejtë daton që në vitin 2008, por e ka zgjeruar gamën në vitin 2012, ndërsa në vitin 2015, DASH iu dha e drejta që t’i publikonte emrat e zyrtarëve të cilët përfshihen në korrupsion.
“Për herë të parë publikimi i emrave u bë në vitin 2018 dhe emri i parë që u publikua ishte ai i ish prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla”, tha gazetarja e VOA nga SHBA.
Ajo theksoi se 70% e rasteve janë ndëshkuar nga SHBA me shpallje “non grata” për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe në 30% e tyre për raste madhore të korrupsionit.
Znj. Zaimi theksoi se kostoja e ish kryeministrit Berisha në këtë rast lidhet vetëm me mos hyrjen e tij në SHBA, mirëpo ajo përmendi se ambasadorja amerikane Yuri Kim ka theksuar rëndësinë e mos përfshirjes në role politike të personave që janë shpallur non grata nga SHBA-të.
“Do të kemi parasysh edhe një deklaratë të ambasadores Yuri Kim e cila ka theksuar rëndësinë e mos përfshirjes në Parlament të personave të cilët janë identifikuar nga SHBA me raste domethënëse të korrupsionit si rasti i ish deputetit Tom Doshi i cili pas zgjedhjeve dha dorëheqjen”, u shpreh znj. Zaimi.
Menada Zaimi tha se akti i djeshëm tregon një angazhim të vazhdueshëm të SHBA-ve për të luftuar korrupsionin dhe për të ndëshkuar ata persona që SHBA-të mendojnë se janë përfshirë në akte korruptive.
Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta