Në shkëmbinjtë e Marsit mund të jenë shenja të jetës mikrobiale të lashtë
Veçori të pazakonta të zbuluara në shkëmbinjtë e Marsit mund të jenë rezultat i jetës mikrobiale të lashtë që ka ekzistuar dikur në planetin e kuq, miliarda vjet më parë.
Shkëmbinjtë u zbuluan nga roveri Perseverance i NASA-s, teksa ai udhëtonte përgjatë Neretva Vallis, një luginë e lashtë lumi që është gdhendur në terrenin e Marsit nga uji që dikur derdhej në kraterin Jezero.
Roveri, i cili zbriti në këtë krater në vitin 2021, hasi në këta shkëmbinj vitin e kaluar, teksa eksploronte një formacion shkëmbor të quajtur Bright Angel në veriun e luginës së lashtë.
Instrumentet e roverit zbuluan praninë e përbërjeve me bazë karboni në këta shkëmbinj, ndërsa imazhet treguan njolla dhe nyje sipërfaqësore intriguese veçori që shpesh lidhen me jetën mikrobiale në Tokë.
Këto karakteristika të çuditshme mund të kenë edhe shpjegime më të zakonshme, si për shembull reaksione kimike që kanë ndodhur gjatë mijëvjeçarëve. Por, në një raport të publikuar të mërkurën në revistën Nature, shkencëtarët theksojnë se këto veçori duhet të merren në konsideratë si shenja të mundshme të jetës.
“Analiza jonë na çon në përfundimin se formacioni Bright Angel përmban tekstura, përbërje kimike e minerale, dhe gjurmë organike që duhet të konsiderohen si ‘biosinjatura të mundshme’,” shkruajnë ata.
Ndërsa Marsi duket sot si një botë e thatë dhe e shkretë, sipërfaqja e tij është e mbushur me gjurmë të lumenjve dhe liqeneve të lashta, gjë që tregon se dikur ka qenë më i ngrohtë dhe më i lagësht. Nëse jeta ndonjëherë ka arritur të zhvillohet në Mars, gjurmët e saj mund të gjenden nëpër shkëmbinj, në formë materiali organik ose ndoshta edhe fosilesh mikroskopike.
Dr. Joel Hurowitz, gjeokimist dhe shkencëtar planetar në Universitetin Stony Brook në Nju Jork, dhe autori kryesor i studimit, tha se këto veçori të pazakonta janë grumbullime mineralesh, përfshirë mineralin hekur-fosfat vivianite dhe mineralin hekur-sulfid greigite.
“Këto minerale duken se janë formuar si rezultat i reaksioneve mes baltës në formacionin Bright Angel dhe lëndës organike që gjendet gjithashtu aty,” tha ai. Reaksionet duket se kanë ndodhur menjëherë pasi balta u depozitua në fundin e liqenit.
Në Tokë, reaksione të tilla ku përzihen lënda organike me përbërje kimike në baltë dhe formohen minerale si vivianite dhe greigite shpesh shkaktohen nga aktiviteti mikrobial. Mikrobet i konsumojnë përbërjet organike dhe prodhojnë këto minerale si nënprodukte të metabolizmit të tyre.
Por, këto minerale mund të krijohen edhe në mënyrë jo-biologjike. “Arsyeja pse nuk mund të pohojmë se kemi të bëjmë me diçka më shumë se një biosinjaturë të mundshme është sepse disa procese kimike jo-biologjike mund të shkaktojnë po të njëjtat reaksione, dhe ne nuk mund t’i përjashtojmë plotësisht ato vetëm me të dhënat e roverit,” sqaroi Hurowitz.
Ai shtoi: “Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të qëndrojmë te termi ‘biosinjaturë e mundshme’, derisa të kemi më shumë kërkime dhe analizë të mostrave të mbledhura nga ky formacion, që mund të kryhen në Tokë.”
Shkencëtarët shpresojnë që këto zbulime do të nxisin kërkime në laboratorë për të parë nëse këto veçori mund të riprodhohen në kushte biologjike dhe jo-biologjike. Gjithashtu, ata synojnë të inkurajojnë punën në terren në vende të Tokës ku mund të kenë ndodhur reaksione të ngjashme në të kaluarën kjo do t’i ndihmonte të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me jetë mikrobiale apo jo.
Në fund të fundit, konfirmimi mund të vijë vetëm pasi mostrat e shkëmbinjve nga Marsi që aktualisht janë ruajtur nga Perseverance të rikthehen në Tokë. Por planet e NASA-s për këtë mision janë aktualisht shumë të vonuara dhe të pasigurta.
Në një artikull shoqërues, Dr. Janice Bishop, shkencëtare planetare në Seti Institute në Kaliforni, dhe Dr. Mario Parente, ekspert në sensorë të largët planetarë në Universitetin e Massachusetts Amherst, shkruajnë: “Nuk ka dëshmi për mikrobe në Mars sot, por nëse ndonjëherë kanë ekzistuar në Marsin e lashtë, edhe ato mund të kenë shndërruar mineralet e sulfateve në sulfide në një liqen si ai në kraterin Jezero.”/The Guardian
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta