Cilat libra ka marrë Sarkozy me vete në qeli dhe si do të jetë dhoma e tij e burgut?

21 Tetor 2025 | 17:19

Ish-presidenti francez fillon sot vuajtjen e një dënimi me pesë vite burg dhe i lejohet të marrë me vete vetëm tre libra.

Çfarë do të lexojë ai pas hekurave dhe pse janë këto zgjedhje kaq domethënëse?

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy filloi të martën vuajtjen e një dënimi pesëvjeçar në burgun La Santé në Paris.

Sarkozy, i cili e udhëhoqi Francën nga viti 2007 deri në 2012, u dënua në fund të shtatorit për komplot kriminal, lidhur me një plan që përfshinte ish-diktatorin libian Muammar Gaddafi për të financuar fushatën e tij zgjedhore. Ai bëhet udhëheqësi i parë francez që burgoset që nga bashkëpunëtori nazist, marshalli Philippe Pétain, pas Luftës së Dytë Botërore.

“Një njeri i pafajshëm po futet në burg”, tha ai gjatë rrugës për në La Santé.

Sipas vendimit të gjykatës, Sarkozy, 70 vjeç, do të mund të paraqesë kërkesë për lirim me kusht vetëm pasi të jetë futur në burg, dhe gjyqtarët do të kenë deri në dy muaj për ta shqyrtuar kërkesën.

Ndërkohë, ish-presidenti do të duhet ta kalojë kohën në një qeli 11 metra katrorë, e pajisur me një sobë të vogël, një tavolinë pune dhe një dush me tualet. Ai do të ketë akses në televizor (me një tarifë prej 14 eurosh në muaj), bibliotekë dhe palestër.

Sarkozy ka thënë se planifikon të shkruajë një libër të ri gjatë kohës në burg dhe ka marrë me vete tre libra maksimumi i lejuar për të burgosurit.

Për median franceze Le Figaro, ai ka thënë se ka zgjedhur:

“Konte i Monte Kristos” nga Alexandre Dumas dhe një biografi të Jezus Krishtit.

I pari, botuar në vitin 1846, është thellësisht simbolik: heroi i tij, Edmond Dantès, burgoset padrejtësisht për 14 vite dhe përgatit hakmarrjen e tij pas arratisjes në fund të vëllimit të parë.
Nuk është e sigurt nëse Sarkozy e identifikon veten me Dantès-in, por zgjedhja e librit nuk duket aspak rastësore, duke pasur parasysh se ish-presidenti ka pohuar vazhdimisht pafajësinë e tij. Për më tepër, Dantès është ndoshta figura më e njohur në letërsinë franceze që është dënuar padrejtësisht.
Një zgjedhje aspak e fshehtë për nga simbolika, por gjithsesi një lexim magjepsës.

Sa i përket librit të dytë, “Jésus” i Jean-Christian Petitfils botuar në vitin 2011 ofron një portret të dokumentuar mirë të jetës së Krishtit. Petitfils mbështetet në burime historike dhe kërkime për të ndërtuar një pamje që shmang rrëfimet tërësisht fetare.

Sërish, një zgjedhje e drejtpërdrejtë në simbolikë, por ndoshta e qëllimshme për të balancuar ndonjë dëshirë hakmarrjeje që mund të ngjallet nga Dantès…

LEXONI GJITHASHTU:

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026