Vrasja e dy palestinezëve në Bregun Perëndimor nga forcat izraelite, reagon OKB

28 Nëntor 2025 | 20:44

Forcat izraelite gjatë operacionit ku u vranë dy palestinezë në Xhenin të Bregut të pushtuar Perëndimor, 27 nëntor.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka thënë të premten se vrasja e dy burrave palestinezë në Bregun e pushtuar Perëndimor nga forcat e sigurisë izraelite, një ditë më parë, dukej të ishte “ekzekutim pa gjyq”.

Në pamjet e kapura nga Palestine TV, forcat e izraelite shihen duke hapur zjarr ndaj dy burrave në qytetin Xhenin, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, pavarësisht se ata ishin dorëzuar.

Ata shiheshin duke dalë nga ndërtesa dhe duke ngritur bluzat dhe duart lart para se të shtriheshin në tokë për t’u dorëzuar. Forcat izraelite më pas duket se i urdhëruan të ktheheshin brenda ndërtesës para se t’i qëllonin.

“Jemi të tmerruar nga vrasja e hapur dhe e paturpshme dje nga policia kufitare izraelite e dy burrave palestinezë në Xhenin, në Bregun e pushtuar Perëndimor, në një tjetër ekzekutim të dukshëm pa gjyq”, tha zëdhënësi i zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, Jeremy Laurence, në Gjenevë.

Ushtria izraelite dhe forca policore thanë të enjten se kishin nisur një hetim për të shtënat, duke deklaruar se forcat kishin hapur zjarr ndaj të dyshuarve që kishin dalë nga një ndërtesë.

Grupi militant palestinez Xhihadi Islamik të premten tha se njëri nga burrat ishte komandant i tyre dhe tjetri luftëtar.

Të shtënat ndodhën kur forcat izraelite po kryenin një operacion në Xhenin, një ditë pas nisjes së një operacioni ushtarak në qytetin e afërt Tubas.

“Të gjithë e panë që ata nuk përbënin asnjë kërcënim ndaj forcave izraelite, megjithatë ushtarët vendosën t’i qëllonin dhe t’i vrisnin në vend. Ishte një ekzekutim para kamerave”, tha Shai Parnes nga grupi izraelit për të drejtat e njeriut, B’Tselem.

Ushtria dhe policia izraelite thanë në deklaratën e tyre të përbashkët se dy burrat ishin persona të kërkuar dhe të lidhur me një “rrjet terrorist”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 920

Numri i të vdekurve nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën është rritur në 920, ndërsa numri i të plagosurve ka arritur në 3,360,...
21:13 | 26/06/2026

Agjencia detare e OKB: Evakuohen 115 anije nga Ngushtica e Hormuzit

Agjencia detare e OKB-së bëri të ditur se që nga e marta janë evakuuar rreth 115 anije dhe 2,500 detarë nga Ngushtica e Hormuzit, ndërsa...
20:50 | 26/06/2026

Trump kërcënon me tarifa 100% ndaj vendeve që taksojnë kompanitë amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa prej 100% për importet nga çdo vend që miraton një taksë...
20:47 | 26/06/2026