Analiza/ Pesë mesazhet kryesore nga fjalimi i Trumpit në Davos

22 Janar 2026 | 08:56

Fjalimi i gjatë dhe antagonistik i Presidentit Donald Trump drejtuar manjatëve të biznesit dhe zyrtarëve qeveritarë në Alpet zvicerane, të mërkurën, vështirë se shërbeu si një qetësim për shqetësimet se Aleanca Perëndimore ndodhet në prag të shpërbërjes.

Trump u ankua vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara po shfrytëzohen nga Evropa dhe shprehu habi pse përpjekja e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës po përballej me rezistencë.

Ai kritikoi ashpër udhëheqësit evropianë, duke i fajësuar për kthimin e kontinentit në diçka të panjohur përmes asaj që ai e paraqiti si migracion të pakontrolluar dhe politika ekonomike radikale.

Gjithashtu, ai spekuloi hapur mbi gatishmërinë e NATO-s për të ardhur në mbrojtje të Shteteve të Bashkuara, pa përmendur se e vetmja herë kur aleanca aktivizoi traktatin e saj të mbrojtjes kolektive ishte me kërkesë të amerikanëve pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Disa orë pas fjalimit të tij, kishte lajme potencialisht më të mira për Evropën. Trump njoftoi se kishte arritur një “kornizë të një marrëveshjeje të ardhshme” për Groenlandën pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe se tarifat që ai kishte kërcënuar të vendoste muajin e ardhshëm ishin hequr.

“Kjo zgjidhje, nëse arrihet, do të jetë një zgjidhje e shkëlqyer për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e NATO-s”, shkroi Trump në Truth Social, pa dhënë detaje specifike mbi marrëveshjen.

I pyetur nga CNN, ndërsa po largohej nga samiti, nëse marrëveshja përmbushte dëshirën e tij për të zotëruar Groenlandën, Trump tha se është një marrëveshje afatgjatë.

Megjithatë, fjalimi i tij në Davos, i mbushur me ankesa dhe fyerje ndaj homologëve të tij evropianë, la gjurmë.

Ja pesë mesazhet kryesore nga fjalimi i tij:

Nuk e marr Grenlandën me forcë

Për udhëheqësit evropianë që dëgjonin me ankth vërejtjet e presidentit mbi Groenlandën, kishte katër fjalë në një fjalim me retorikë të zjarrtë që kishin rëndësi: “Nuk do të përdor forcën”.

Ishte deklarata më e qartë deri më tani nga Trump se ai nuk do të përpiqej të pushtonte Groenlandën duke përdorur forcën ushtarake. Deri të mërkurën, presidenti kishte refuzuar ta përjashtonte këtë mundësi dhe Shtëpia e Bardhë kishte thënë se opsionet ushtarake mbeteshin në lojë.

Kjo nuk do të thotë që gjithçka do të jetë e lehtë në të ardhmen. Trump mbeti këmbëngulës se nuk do të pranonte asgjë më pak se pronësinë e plotë të Groenlandës, një territor gjysmëautonom i Danimarkës.

“Ky ishull i madh i pasiguruar është në fakt pjesë e Amerikës së Veriut. Ky është territori ynë. Mund të thuash jo dhe ne do ta kujtojmë”, paralajmëroi ai.

Një argument historik

Duke përsëritur kërkesën e tij për kontroll të Groenlandës, të cilën gabimisht e quajti Islandë katër herë, Trump argumentoi në Davos se “asnjë komb apo grup kombesh nuk është në ndonjë pozicion për të qenë në gjendje të sigurojë Groenlandën, përveç Shteteve të Bashkuara”.

“Çdo aleat i NATO-s ka detyrimin të jetë në gjendje të mbrojë territorin e vet. Ne jemi një fuqi e madhe, shumë më e madhe nga sa e kuptojnë njerëzit”, tha ai.

Trump vazhdoi duke e kritikuar Danimarkën si “mosmirënjohëse” për refuzimin e heqjes dorë nga kontrolli i Groenlandës, duke pretenduar se kombi i detyrohej SHBA-së për mbrojtjen e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Danimarka ra në duart e Gjermanisë pas vetëm gjashtë orësh luftimesh dhe ishte plotësisht e paaftë të mbronte veten ose Groenlandën. Kështu që Shtetet e Bashkuara u detyruan ta bënin këtë”, tha ai, duke u ankuar për vendimin e SHBA-së në atë kohë për të lejuar Danimarkën të mbante Groenlandën si territor.

“Sa budallenj ishim që e bëmë këtë? Por e bëmë, por ia kthyem mbrapsht. Por sa mosmirënjohës janë tani?”, tha ai.

Një shfryrje ankesash e gjerë dhe e përhapur kudo

Trump gjithashtu shënjestroi një sërë objektivash të tjerë, si të vjetër ashtu edhe të rinj, duke e nënvlerësuar në një moment edhe vendin pritës, Zvicrën, si “të mirë vetëm falë nesh”. Ai tregoi një shkëmbim të kaluar me një udhëheqëse zvicerane mbi tarifat, duke theksuar se vendosi të rriste taksën e tij ndaj vendit pasi ajo “e ngacmoi”.

“Kemi shumë vende të tilla ku ata po bëjnë pasuri falë Shteteve të Bashkuara. Pa Shtetet e Bashkuara, ata nuk do të bënin asgjë, tha Trump.

Sa i përket kryeministrit kanadez Mark Carney, Trump zgjodhi të lëshonte një kërcënim të kobshëm.

“Kanadaja merr shumë gjëra falas nga ne, meqë ra fjala. Ata duhet të jenë mirënjohës, por nuk janë. Kanadaja jeton për shkak të Shteteve të Bashkuara. Mbaje mend këtë, Mark, herën tjetër që bën deklaratat e tua”, tha Trump, duke u ankuar për vërejtjet e mëparshme të Carney-t në konferencë.

Trump e përdori fjalimin e tij për të rigjallëruar edhe një palë armiqësi të brendshme të vjetra, duke sulmuar Kryetarin e Rezervës Federale, Jerome Powell, dhe Përfaqësuesen Demokrate Ilhan Omar.

“Ajo vjen nga një vend që nuk është një vend dhe po na tregon se si ta drejtojmë Amerikën. Nuk do t’i shpëtojë më gjatë kësaj”. tha Trump për Omarin.

Ai përmendi mashtrimin e dyshuar në shtetin që ajo përfaqëson, Minesotën, për të bërë një argument ksenofobik të fshehur hollë për vlerat perëndimore që ai tha se duhen mbrojtur dhe forcuar.

“Situata në Minesota na kujton se Perëndimi nuk mund të importojë masivisht kultura të huaja, të cilat nuk kanë arritur të ndërtojnë kurrë një shoqëri të suksesshme të tyren”, theksoi  Trump, duke pretenduar se prosperiteti perëndimor rrjedh nga “kultura jonë shumë e veçantë”.

Një Trump i përmbajtur dhe një turmë e shtangur

Për njëfarë kohe gjatë fjalimit të Trump, turma në këmbë i priti me qetësi kritikat personale dhe komentet jashtë teme të presidentit. Presidenti, i cili u duk më i përmbajtur pas një fluturimi të gjatë për në Zvicër, shkaktoi të qeshura kur thirri “kaq shumë miq, disa armiq” në audiencë dhe pretendoi se pas vitit të parë të kthimit në detyrë, “njerëzit po ia dalin shumë mirë. Ata janë shumë të lumtur me mua”.

Megjithatë, të pranishmit që hynë me vrap në sallë për të parë Trumpin, duke u shtypur pas njëri-tjetrit për të hyrë në derë dhe gati duke mposhtur stafin e sigurisë, u bënë më të shqetësuar dhe të pakëndshëm ndërsa fjalimi vazhdonte.

Argumenti i zgjatur i Trumpit për pronësinë e Groenlandës alarmoi veçanërisht disa në audiencë, të cilët tundën kokat dhe qeshën me mosbesim ndërsa ai e përshkroi territorin si një blerje të domosdoshme dhe e kritikoi Danimarkën si “mosmirënjohëse”.

Ndërsa fjalimi i Trumpit po mbaronte dhe u përqendrua në një pjesë mbi vendosjen e Gardës Kombëtare në Uashington, DC dhe qytete të tjera të SHBA-së, disa nga turma ndërkombëtare e kishin humbur qartë interesin, me disa që madje u zgjuan për t’u larguar herët.

Madje vetë Trump dukej se ndjeu urgjencë për ta mbyllur në fund, duke i përfunduar komentet e tij me një notë të shkujdesur: “Do të shihemi përsëri”.

Një Evropë që ai nuk e njeh

Nëse kishte një bazë në fjalimin njëorësh të Trumpit, dhe ai u end në shumë drejtime, ishte një bindje e qëndrueshme se Evropa dhe udhëheqësit e saj kishin devijuar në mënyrë drastike nga kursi i tyre.

Ndërsa Trump pretendonte se i donte kombet e kontinentit, duke e deklaruar veten “100%” skocez dhe gjerman, ai kishte vetëm përbuzje për mënyrën se si zyrtarët kishin menaxhuar imigracionin, sigurinë dhe ekonominë gjatë dekadave të fundit.

“Disa vende në Evropë nuk janë më të njohura, sinqerisht. Ato nuk janë më të njohura. Dhe mund të debatojmë për këtë, por nuk ka asnjë debat”, tha Trump pak minuta pas fillimit të fjalimit të tij.

Duke kujtuar luftërat e shekullit të kaluar që kërkuan ndërhyrjen amerikane, Trump dukej i vendosur t’i poshtëronte evropianët, duke i dhënë atë që ai në të vërtetë donte prej tyre: Groenlandën.

“Pa ne tani, të gjithë do të flisnit gjermanisht dhe pak japonisht”, tha ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

11 raste në një javë, disa avionë rusë janë interceptuar në Baltik

Avionët luftarakë francezë u ngritën 11 herë gjatë javës së kaluar si pjesë e Misionit të Patrullimit Ajror Baltik të NATO-s, tha të enjten zëdhënësi...
14:27 | 04/06/2026

Ushtria amerikane sulm ndaj një anije të dyshuar me drogë në Oqeanin Paqësor, dy viktima

Ushtria amerikane sulmoi një anije të akuzuar për kontrabandë droge në Oqeanin Paqësor lindor të mërkurën, duke vrarë dy burra, ndërsa administrata Trump zhvillon një fushatë kundër trafikantëve të...
14:12 | 04/06/2026

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026