SHBA-ja miraton fonde për shtetet baltike teksa Rusia teston krahun lindor të NATO-s
Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një fond prej 200 milionë dollarëve si asistencë sigurie për shtetet e Baltikut, teksa intensifikohet aktiviteti rus në krahun lindor të NATO-s.
Fondet, që janë miratuar këtë javë në kuadër të shpenzimeve për vitin fiskal 2026, garantojnë fonde për Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë nën Iniciativën për Siguri të Baltikut.
Paketa prej 838.7 milionë dollarëve, e nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, më 3 shkurt, parasheh rritje të bashkëpunimit me tri shtetet baltike, pavarësisht përpjekjeve të kaluara të Pentagonit për t’i eliminuar ato.
Rreth 10 milionë dollarë shtesë i janë ndarë Estonisë nga programin për financim të ushtrive të huaja, fonde të cilat Tallini i ka përdorur më parë për të blerë pajisje HIMARS, raketa Javelin dhe predha artilerie të kalibrit të madh.
“Ky është parandalim shumë i mirë për aleatët tanë të Baltikut”, ka thënë kongresisti Don Bacon në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se kjo çështje është kthyer në prioritet pasi Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka dhënë sinjale për ndarje të fondeve për programin.
“Kongresi është i përkushtuar për aleancë të fuqishme të NATO-s dhe ne e dimë që duhet vëmendje më e madhe sa i përket Baltikut”, ka thënë ai, duke shtuar se historia është dëshmi për rrezikun që kanoset nga braktisja e angazhimeve globale.
Tre shtetet baltike, të gjitha anëtare të NATO-s dhe mbështetëse të Ukrainës, kanë parë shkelje të hapësirave të tyre territoriale nga aeroplanët dhe dronët rusë në muajt e fundit.
Bacon ka thënë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës, që shpejt po hyn në vitin e pestë, është kërcënim përtej kufijve të Ukrainës. Ai ka thënë se mënyra se si përfundon konflikti, më i përgjakshmi në Evropë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, do të formësojë ambientin e sigurisë për shtetet baltike dhe fqinjët tjerë më të brishtë.
“Nëse Ukraina humb, atëherë duhet ta dimë që Moldavia do të jetë e radhës. Ne nuk duhet të jemi neutralë. Ne duhet të qëndrojmë në anën e lirisë dhe kundër një banditi dictator”, ka thënë ai.
Për shtetet baltike, miratimi i fondeve shkon përtej vendimeve buxhetore.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budrys, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 4 shkurt se vendimi vërteton se ky rajon përbën linjën e frontit të NATO-s.
Budrys i ka përmendur edhe rreziqet tjera që i kanosen rajonit, përfshirë operacionet hibride ruse dhe bjelloruse.
Kristen Taylor, nga Iniciativa për Siguri Transatlantike në Këshillin Atlantik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se legjislacioni është miratuar në kohën e urgjencës në rritje, për shkak të aktivitetit rus.
Sipas saj, ky financim është miratuar për t’i rritur kapacitetet ushtarake për aleatët e Baltikut./REL
Lituania me kryeministër të ri, Mindaugas Sinkevicius merr drejtimin e qeverisë
OKB: Epidemia e Ebolës mund t’i kushtojë Afrikës deri në 3.6 miliardë dollarë
Plani i shpenzimeve të qeverisë, kryeministri britanik premton 15 miliardë paund shtesë për mbrojtjen
- 14:51 Shembet ndërtesa 4-katëshe në Athinë, dyshohet për disa persona të bllokuar
- 14:40 “Shoqërohen 6 protestues”, Agron Shehaj: U dhunuan hapur përpara kamerave
- 14:26 “Turp, turp”/ Protestuesit mblidhen para Drejtorisë së Policisë, kërkojnë lirimin e të shoqëruarve
- 14:20 Lituania me kryeministër të ri, Mindaugas Sinkevicius merr drejtimin e qeverisë
- 14:11 BE-ja nis përgatitjet financiare për anëtarësimin e Malit të Zi
- 14:08 Firmoset Memorandumi i Bashkëpunimit për industrinë detare, Rama: 500 vende pune, rritet në 2.6% buxheti për Mbrojtjen