Dy të vdekur nga të shtënat në SHBA, Policia identifikon autorin e dyshuar

17 Shkurt 2026 | 17:58

Policia ka identifikuar të dyshuarin për të shtënat gjatë një ndeshjeje hokeji në akull të një shkolle të mesme në shtetin amerikan të Rhode Island, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën tre të tjerë.

Shefja e Policisë së Pawtucket, Tina Goncalves, bëri të ditur se i dyshuari, Robert Dorgan, i cili përdorte gjithashtu emrin Roberta dhe mbiemrin Esposito, vdiq nga një plagë me armë zjarri e shkaktuar vetë brenda Dennis M. Lynch Arena të dielën.

“Sipas të gjitha gjasave, kjo ishte një ngjarje e synuar, që mund të lidhet me një mosmarrëveshje familjare”, deklaroi Goncalves, pa dhënë detaje për identitetin e viktimave.

Pamjet filmike nga vendngjarja tregojnë momentin kur dëgjohen të shtëna ndërsa lojtarët ndodheshin në pistë, duke shkaktuar panik dhe largim të menjëhershëm të ekipeve nga arena. Sipas shefes së policisë, një kalimtar ndërhyri në kohë, çka “mund të ketë çuar në një përfundim të shpejtë të kësaj ngjarjeje tragjike”.

Pas incidentit, lojtarët dhe familjarët e tyre përshkruan momentet e frikës. Melissa Dunn, nëna e një prej lojtarëve, tha se pa ekipet mjekësore duke kryer reanimacion kardiopulmonar në tribuna pasi u kthye brenda për të gjetur djalin e saj.

“Fillimisht nuk e kupton çfarë po ndodh. Dëgjon vetëm zhurma të forta. Mendonim se ishin përplasjet e zakonshme në dërrasë”, tha ajo, duke shtuar se i bërtiti të birit të përkulej dhe të shmangte të shtënat.

Edhe Olin Lawrence, një lojtar i shkollës së mesme që ndodhej në akull në momentin e incidentit, rrëfeu se vrapoi drejt dhomës së zhveshjes sapo dëgjoi të shtënat. “U përplasëm pas derës dhe u përpoqëm të qëndronim të sigurt. Ishte shumë e frikshme”, u shpreh ai.

Arena ku ndodhi ngjarja ndodhet rreth pesë milje në veri të Providence dhe rreth 45 milje në jug të Boston. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026