“Përparësi siguria e shqiptarëve”, ministri Hoxha mbledh shtabin e posaçëm për situatën në Lindjen e Mesme

6 Mars 2026 | 21:57

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, drejtoi një takim të shtabit të posaçëm, me ekipin drejtues dhe Ambasadorët e Shqipërisë në Lindjen e Mesme, të cilët po ndjekin në mënyrë të pandërprerë zhvillimet në rajon.

Në fokus të diskutimeve ishte gjendja e qytetarëve shqiptarë përballë situatës së sigurisë në atë rajon.

Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se “siguria dhe mirëqenia e shtetasve shqiptarë mbeten përparësi absolute”.

Përfaqësitë diplomatike, sipas Ministrit të Jashtëm, janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë.

“Strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t’iu përgjigjur përshtatshmërisht çdo situate”, theksoi Hoxha.

Postimi i plotë

“Në ditën e parë të punës, dosja e parë në tavolinën time: Përditësimi me situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme, si pasojë e përshkallëzimit ushtarak në rajon, dhe në veçanti, analizimi i detajuar i problematikave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.

Shtabi i posaçëm i ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë.

Strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t’iu përgjigjur përshtatshmërisht çdo situate.

Siguria dhe mirëqenia e shtetasve tanë mbeten përparësi absolute”, shkruan Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zelensky do të udhëtojë drejt SHBA-së, zbulon se do të takohet me presidentin Trump në Uashington

Presidenti Volodymyr Zelensky do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme dhe do të takohet me Donald Trump , siç zbuloi ai...
11:59 | 24/07/2026

Një muaj pas tërmeteve vdekjeprurëse, venezuelianët ende kërkojnë të dashurit e tyre nën rrënoja

Më shumë se 5,300 njerëz janë konfirmuar të kenë vdekur nga tërmetet dhe më shumë se 16,500 të tjerë janë plagosur, sipas një numri të...
10:17 | 24/07/2026

Tentohet të vidhet një bankë në Gjermani, vritet një punonjës gjatë pengmarrjes. Arrestohet 20-vjeçari autor i krimit

Një burrë ka vdekur në një incident pengmarrjeje në një degë banke në Regensburg, Bavari, në Gjermaninë jugore. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar pas...
10:03 | 24/07/2026