Një amerikan në fronin e kartelit më të madh të Meksikës

19 Mars 2026 | 22:29

Frenat e kartelit më të fuqishëm të drogës në Meksikë duket se janë marrë përsipër nga një shtetas amerikan, një fakt që mund të ndërlikojë përpjekjet e SHBA-së për të luftuar tregtinë e drogës.

Menjëherë pas funeralit të bosit të drogës Nemesio “El Mencho” Oseguera, djali i tij i lindur në Kaliforni, Juan Carlos Valencia Gonzalez, u ngjit në “fronin” e kartelit “Brezi i Ri i Jaliscos” , sipas zyrtarëve amerikanë dhe meksikanë të cituar nga Wall Street Journal.

Agjencitë amerikane të inteligjencës tani mund të përballen me pengesa ligjore për të gjurmuar dhe mbledhur drejtpërdrejt informacione mbi 41-vjeçarin Valencia Gonzalez për shkak të vendlindjes së tij. Kjo gjithashtu mund të ndërlikojë bashkëpunimin që është zhvilluar midis presidentes meksikane Claudia Sheinbaum dhe Uashingtonit, pasi Meksika mbështetet gjithnjë e më shumë në informacionin e ofruar nga ushtria, zbatimi i ligjit dhe agjencitë e inteligjencës amerikane.

Sipas rregullave që rregullojnë mbikëqyrjen e qytetarëve amerikanë jashtë vendit, agjencitë amerikane do të duhet të marrin miratimin e prokurorit të përgjithshëm dhe, përveç kësaj, të bindin një gjykatë speciale se Gonzalez po vepron si një “agjent i një fuqie të huaj”.

“Vrasje të synuara”

“A mund ta vrasë qeveria një qytetar amerikan jashtë vendit apo edhe në vendin e tij pa gjyq nëse ai konsiderohet si kërcënim për Shtetet e Bashkuara?” pyeti Steven Kass, një ish-zyrtar i CIA-s i cili shërbeu gjithashtu nën Presidentin Joe Biden si këshilltar i lartë i nënsekretarit të inteligjencës në Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

Gjatë administratës Obama, sulmet me dronë të CIA-s vranë disa qytetarë amerikanë, përfshirë Anwar al-Awlaki , një klerik i lindur në New Mexico, i cili ishte ngritur për t’u bërë udhëheqës i al-Kaedës në Jemen.

Administrata Obama kishte argumentuar se vrasja e tij ishte një akt i domosdoshëm vetëmbrojtjeje, duke thënë se roli operativ i al-Awlaki-t në organizatën terroriste e bënte atë një objektiv legjitim sipas ligjit amerikan dhe atij ndërkombëtar. 

Që kur administrata Trump i caktoi tetë grupe kriminale të Amerikës Latine si organizata terroriste, ushtria amerikane ka vrarë më shumë se 150 persona, të cilët zyrtarët amerikanë i kanë quajtur “narkoterroristë ”, në motoskafe në Karaibe dhe në Paqësorin lindor. Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se sulmet përbëjnë vrasje jashtëgjyqësore.

Sheinbaum dhe zyrtarë të lartë meksikanë kanë hedhur poshtë propozime të ngjashme të SHBA-së për operacione kundër karteleve në tokën meksikane, dhe SHBA-të deri më tani nuk kanë synuar asnjë anije në ujërat territoriale të vendit.

Megjithatë, zyrtarë të lartë të administratës Trump vazhdojnë përpara, duke vënë në dukje se gjashtë kartele meksikane janë përcaktuar tani si organizata terroriste. Sipas këshilltarit të ngushtë të Donald Trump, Stephen Miller, kartelet mund të neutralizohen vetëm përmes operacioneve ushtarake, “ashtu siç luftuam kundër al-Kaedës dhe ISIS-it”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026