Debati për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe thellohet pas protestës së studentëve

7 Prill 2026 | 17:35

Reagimet pas protestës së studentëve shqiptarë për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe kanë nxitur debat politik dhe juridik në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria po punon për gjetjen e një zgjidhjeje, duke bërë thirrje që studenti të mos shfrytëzohen si mjet politik. Ai theksoi se çdo vendim duhet të mbetet brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore.

Hristijan Mickoski, kryeministër:

“Është fakt që studentët që studiojnë juridik në gjuhën amtare, në këtë rast gjuhën shqipe, kanë të drejtë ta bëjnë këtë dhe janë pjesë e sistemit të arsimit në Maqedoni. Kështu që ne kemi formuar Komision. Ai Komision është i përbërë nga ekspertë kushtetues dhe punon për gjetjen e zgjidhjes që do të jetë edhe kushtetuese, dhe sipas standardeve ndërkombëtare.”

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë njoftoi se respekton të drejtën e protestës, por theksoi përpjekjet për manipulim politik, duke kujtuar rolin e strukturave politike në gjendjen e sistemit gjyqësor gjatë dy dekadave të fundit.

Ministria e Drejtësisë e RMV:

“Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog konstruktiv me të gjitha palët e interesuara dhe i shqyrton me kujdes të gjitha iniciativat dhe propozimet, ekskluzivisht brenda kompetencave ligjore. Prioriteti ynë mbetet forcimi i rendit juridik dhe vendosja e një sistemi të drejtë, transparent dhe cilësor të vlerësimit profesional, i liruar nga ndikimet politike. Nuk do të lejojmë asnjë keqpërdorim të Kushtetutës dhe ligjeve.”

Ky qëndrim u kundërshtua nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë juridikë, të cilët argumentojnë se në qendër duhet të jetë njohuria juridike e kandidatit, jo gjuha e provimit.

Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim (FECH):

“Provimi i jurisprudencës nuk është provim i gjuhës maqedonase, por provim profesional për zbatimin praktik të së drejtës. Ai nuk të bën automatikisht as gjyqtar e as prokuror, por vetëm të hap rrugën për trajnim të mëtejshëm, i cili gjithsesi zhvillohet në gjuhën maqedonase. Prandaj nuk është e qartë ku qëndron problemi që studentët që kanë studiuar katër vite në gjuhën shqipe ta përdorin të drejtën që u takon me ligj. Apo problemi në fakt është vetë gjuha shqipe?”

Sipas të dhënave zyrtare, në pesë vitet e fundit nga 881 kandidatë për provimin e jurisprudencës, 232 kanë qenë shqiptarë. Megjithatë, dispozitat aktuale parashohin që provimi të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë

Rreth 90 shtetas të Serbisë janë dëbuar nga aeroporti i Tivatit dhe u është ndaluar hyrja në Mal të Zi, pasi konsiderohen “rrezik për sigurinë”,...
19:15 | 03/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

PZAP gjobit Vetëvendosjen me 5,100 euro për përfshirjen e një fëmije në fushatë zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesat e paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër Lëvizja...
16:11 | 03/06/2026