Sarajeva përkujton fëmijët e vrarë gjatë rrethimit 1992-1995

5 Maj 2026 | 11:03

Në Kantonin e Sarajevës, 5 maji është ditë zie në kujtim të fëmijëve të vrarë të Sarajevës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, në vitet ’90.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.601 fëmijë u vranë gjatë katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës (1992-1995).

Sipas vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe vendore, së paku 53 prej tyre janë vrarë nga snajperët, ndërsa më shumë se 14 mijë janë plagosur.

Për krimet ndaj fëmijëve të kryera gjatë rrethimit, deri më tani nuk është mbajtur askush përgjegjës.

Qeveria e Kantonit të Sarajevës, në vitin 2019, ka marrë vendim që 5 maji të shënohet si Dita e Kujtimit për Fëmijët e Vrarë të Sarajevës.

Muzeu Historik i Bosnje dhe Hercegovinës, që nga shkurti i vitit 2020, po mbledh sende personale të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës, të cilat janë ekspozuar në kuadër të instalacionit memorial “Dhoma e Bardhë”.

Rrethimi i Sarajevës

Terrori ndaj qytetarëve të Sarajevës zgjati 1.425 ditë.

Sipas vendimeve të Gjykatës në Hagë, sulmet ndaj civilëve nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska ndodhnin kudo dhe në çdo kohë të ditës apo natës.

Për rrethimin e Sarajevës, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë ka dënuar me burgim të përjetshëm Stanisllav Galliçin, ndërsa Dragomir Millosheviç është dënuar me 29 vjet burg.

Të dy ata kanë qenë komandantë të Korpusit Sarajevë-Romanija, i cili e ka mbajtur qytetin nën rrethim për 44 muaj.

Disa pjesë të dënimeve të përjetshme të Radovan Karaxhiqit, ish-president i Republikës Sërpska, dhe Ratko Mlladiçit, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, lidhen po ashtu me terrorizimin e popullsisë civile të Sarajevës.

Në nivel vendor, për krimet në pjesët e rrethuara të qytetit janë ndjekur deri tani 12 persona.

Para Tribunalit të Hagës është akuzuar edhe ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, por ai ka vdekur gjatë procesit, në mars të vitit 2006, dhe gjykimi është ndërprerë.

Bilana Pllavshiq, ish-presidente e Republikës Sërpska, ka pranuar fajësinë për pjesëmarrje në krimet në Sarajevë dhe është dënuar me 11 vjet burg nga Gjykata e Hagës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë

Rreth 90 shtetas të Serbisë janë dëbuar nga aeroporti i Tivatit dhe u është ndaluar hyrja në Mal të Zi, pasi konsiderohen “rrezik për sigurinë”,...
19:15 | 03/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

PZAP gjobit Vetëvendosjen me 5,100 euro për përfshirjen e një fëmije në fushatë zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesat e paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër Lëvizja...
16:11 | 03/06/2026