Rama: Të shkrijmë kufijtë në Ballkan, BE ende jo gati për ne. Zaev: S’do heq dorë nga negociatat me Bullgarinë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev janë të mendimit se Bashkimi Europian mbetet e vetmja alternativë për dy vendet, pavarësisht se Brukseli zyrtar ka dështuar në mbajtjen e premtimeve në zgjerimin e Ballkanit Perëndimor.
Me këtë, dy zyrtarët e lartë iu referuan mos caktimit të një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për shkak se Bullgaria vendosi veto në Këshillin e BE-së lidhur me disa mosmarrëveshje për identitetin e Maqedonisë së Veriut.
“Edhe pse bëmë një hap pozitiv përpara edhe pse mesazhet tona ishin të qarta dhe pa ekuivokë, kolegët bullgarë nuk ia dolën që të mbledhin fuqi të mjaftueshme për të filluar negociatat për RMV dhe Shqipërinë për integrimin në BE. Vendimi i BE-së është një dëshpërim i madh dhe një mossukses i politikave të BE-së për zgjerimin dhe një mesazh i keq për rajonin. Vota e Bullgarisë mendojmë se nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe integrimi në BE nuk mund të jetë peng i çështjeve dypalëshe. Ky është një precedent i rrezikshëm, identiteti kombëtar maqedonas nuk mund të jetë subjekt i negociatave”, – deklaroi Zaev.
Kryeministri i RMV-së nënvizoi se nuk do të heqë dorë nga negociatat me Bullgarinë për të gjetur zgjidhje dhe paralajmëroi një tjetër vizitë në Sofje.
Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilësoi dështim të Bashkimit Europian mungesën e një date për hapjen e negociatave për anëtarësim për dy vendet dhe shmangu përmendjen e Bullgarisë.
“BE mund të caktojë detyra për integrimin, mund të caktojë afate, por BE nuk cakton dot as vendndodhjen tonë në mes të Evropës dhe as kulturën dhe identitetin tonë evropian dhe as të ardhmen e popujve tanë si popuj evropianë. Shqipëria e ka bërë zgjidhjen e saj që në kohën e Gjergj Kastriotit dhe e ka rikonfirmuar zgjedhjen e saj qysh në epokën e Rilindjes. Në dallim me Zaev, për mua nuk ka ndodhur asgjë tjetër përveçse BE-ja ka dështuar që të mbajmë premtimin dhe të jetë me qëndrimin e duhur”, – deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.
Gjatë fjalës së tij, z. Rama tha madje se ky është një problem i Bashkimit Europian, pasi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet e kërkuara.
“Nuk ka të bëjë me ne, por me vetë BE-në. Nuk jam i shqetësuar dhe nuk po më prishet gjumi për këtë, sepse kam gjëra më të rëndësishme për të mbetur pa gjumë. E kemi bërë punën tonë, si ne dhe Maqedonia e Veriut, kanë thënë që kemi bërë punën tonë dhe kaq është e gjitha. Kur ata të jenë gati, duhet të na thonë. Ne e duam Evropën, edhe ata na thonë se na duan por nuk janë gati për martesë”, – u shpreh z. Rama.
Kryeministri i Shqipërisë tha më tej se vendet e rajonit do të duhet të vazhdojnë intensifikimin e bashkëpunimit rajonal për t’i bashkuar vendet në një zonë të përbashkët ekonomike.
Ai foli për “shkrirje të kufijve” dhe “për ta kthyer rajonin tonë në hapësirën e zbatimit të plotë të katër lirive të BE”.
“Ne jemi shumë të vegjël për të pasur ekonomi të forta duke qëndruar të ndarë nga njëri-tjetri, por jemi mjaftueshëm të mëdhenj nëse me njëri-tjetrin e kthejmë rajonin në një hapësirë të përbashkët ekonomike.
LEXONI GJITHASHTU:
Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
PZAP gjobit Vetëvendosjen me 5,100 euro për përfshirjen e një fëmije në fushatë zgjedhore
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta