Nga Saranda, Koçiu prezanton planin për menaxhimin e sezonit turistik

13 Maj 2026 | 15:20

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, nga qyteti i Sarandë, bëri të ditur planin e masave të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse për garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të suksesshëm.

Sipas saj, në portin e Sarandës janë marrë të gjitha masat për të menaxhuar fluksin e turistëve, për të lehtësuar lëvizjen, për të shmangur vonesat dhe për të garantuar siguri maksimale.

Koçiu theksoi se në një vend ku numri i turistëve është dyfishuar dhe trefishuar gjatë pesë viteve të fundit, menaxhimi i fluksit turistik ka qenë një sfidë e rëndësishme, por sipas saj kjo është përballuar me sukses nga institucionet shqiptare.

“Në një kohë kur sistemi i ri Europian i Kontrollit Kufitar po krijon radhë dhe vonesa të mëdha në vendet e BE-së, Shqipëria është cilësuar nga shumë burime si një shembull për mirëmenaxhimin e kufirit dhe mungesën e radhëve”, u shpreh ajo.

Zëvendëskryeministrja nënvizoi se plani i masave është bërë çdo vit më i detajuar, duke ndjekur rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve që zgjedhin Shqipërinë si destinacion.

Sipas saj, Policia e Shtetit, Policia Rrugore, Policia Kufitare dhe institucionet e tjera kanë nisur zbatimin e një plani masash që përfshin: shtimin e sporteleve dhe personelit në pikat e kalimit kufitar; përmirësimin e sinjalistikës rrugore; caktimin e kalatave të dedikuara për anijet turistike; lehtësimin e procedurave të kalimit të kufirit; patrullimin e vazhdueshëm të hapësirave bregdetare për garantimin e sigurisë në det.

Gjithashtu, Shërbimi Kombëtar i Zjarrfikëseve është përgatitur për të përballuar çdo situatë, veçanërisht rrezikun e zjarreve gjatë sezonit veror. Ndërkohë, Shërbimi Kombëtar i Urgjencës dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë zgjeruar programin e Qendrave Shëndetësore Verore.

Koçiu bëri të ditur se edhe Ministria e Kulturës do të organizojë një sërë aktivitetesh dhe eventesh kulturore gjatë sezonit turistik, ndërsa institucionet inspektuese do të monitorojnë zbatimin e masave të marra.

Ajo u ndal edhe te sistemi i ri elektronik që pritet të aplikohet së shpejti në portet e Sarandës dhe të Durrës.

“Sistemi e-Gate, në Aeroportin ‘Nënë Tereza’, ka rezultuar shumë i suksesshëm në reduktimin e kohës së kalimit të kufirit në vetëm pak minuta”, deklaroi Koçiu.

Në përfundim, ajo theksoi se Saranda mbetet një nga destinacionet më atraktive të ofertës turistike shqiptare dhe shprehu bindjen se edhe ky sezon do të jetë i suksesshëm falë organizimit dhe angazhimit të institucioneve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026