Organizuan vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij, SPAK merr të pandehur 3 persona

15 Maj 2026 | 09:26

SPAK ka marrë të pandehur Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Franko Lekën, të cilët akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe planifikuar vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij.

Sipas hetimeve, plani kriminal nuk u realizua pasi grupi i atentatorëve, sapo ka hyrë në brendësi të fshatit Rranxë, është sulmuar me armë zjarri nga Aleksandër Prendi.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tyre akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë, “sigurim kushtesh për të kryer vrasje”, si dhe “armëmbajtje pa leje”, të gjitha të kryera në kuadër të grupit kriminal.

Pavarësisht se ishte objektivi i sulmit, edhe Aleksandër Prendi është vënë nën akuzë. Ndaj tij rëndon akuza e “vrasjes në tentativë”, pasi sipas prokurorisë, dyshimet janë provuar pas një sërë hetimesh të kryera në zonë.

Megjithëse janë ushtruar kontrolle të shumta, Franko Leka dhe Aleksandër Prendi vijojnë të jenë në kërkim.

Në njoftimin e bërë publik në shkurt të vitit të kaluar, SPAK sqaronte se Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, bashkë me persona të tjerë ende të paidentifikuar, janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.

Sipas SPAK, personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kishin shkuar në zonë me qëllim vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zone.

Në momentin që kanë kaluar në zonë, ata janë qëlluar me armë zjarri nga Prendi. Nga provat e siguruara në vendngjarje rezulton se ka pasur shkëmbim zjarri. Nuk janë shënuar persona të plagosur, por vetëm dëmtime të mjeteve.

Njëri prej automjeteve me të cilin lëviznin personat nën hetim është dëmtuar nga të shtënat. Automjeti rezultoi i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja që nuk i përkisnin mjetit.

Për këtë ngjarje, në burg ndodhen vetëm Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët zgjodhën të vetëdorëzohen në polici, pasi ishin shpallur në kërkim edhe për një konflikt të ndodhur më herët në Shkodër.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026