SHBA: Bosnja nuk mund ta shtyjë ndërprerjen e varësisë nga gazi rus

9 Qershor 2026 | 14:12

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se do t’i monitorojnë me kujdes ata në Bosnje dhe Hercegovinë që “i japin përparësi përfitimit politik në vend të sigurisë energjetike, të mbështetur në energjinë e besueshme amerikane dhe në ndërprerjen e varësisë nga gazi rus”.

Kështu u përgjigj Departamenti amerikan i Shtetit në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me takimet e fundit të zyrtarëve të entitetit Republika Sërpska (RS) me përfaqësues të kompanisë energjetike ruse Gazprom, në një kohë kur Bashkimi Evropian po paralajmëron ndërprerjen graduale të importeve të gazit rus.

“Duke pasur parasysh se BE-ja po e heq gradualisht gazin rus deri në vjeshtën e vitit 2027, Bosnja dhe Hercegovina nuk mund t’ia lejojë vetes vonesa”, u tha në përgjigjen e DASH-it.

Zyrtarët e Republikës Sërpska, mes tyre edhe përfaqësues të Qeverisë së entitetit dhe lideri i partisë në pushtet, Millorad Dodik, gjatë ditëve të fundit kanë zhvilluar bisedime me drejtuesit e Gazprom-it në Shën Petersburg.

Vizita në Rusi vjen në një kohë kur autoritetet e RS-së vazhdojnë përgatitjet për ndërtimin e gazsjellësit të njohur si Ndërlidhja e Re Lindore, projekt që vlerësohet se kushton 500 milionë euro.

Ky gazsjellës pritet ta lidhë këtë entitet me rrjetin në Serbi, përmes të cilit Bosnja dhe Hercegovina aktualisht furnizohet ekskluzivisht me gaz rus.

Pas takimit në fund të majit, ministri i Energjetikës dhe Minierave të RS-së, Petar Gjokiq, konfirmoi se ky entitet i Bosnjës dhe Hercegovinës mbetet një partner i rëndësishëm i Gazprom-it në zhvillimin e infrastrukturës së gazit.

Bosnja dhe Hercegovina aktualisht është plotësisht e varur nga gazi rus, me të cilin furnizohet përmes Serbisë nëpërmjet Rrjedhës Turke.

Autoritetet në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës planifikojnë ndërtimin e gazsjellësit të quajtur Ndërlidhja Jugore, përmes të cilit gazi do të vinte nga terminali i gazit të lëngshëm natyror (LNG) në ishullin Kërk në Kroaci. Në këtë projekt janë të përfshirë edhe investitorë amerikanë.

Nga DASH-i theksuan se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për partneritet me Bosnjën dhe Hercegovinën, me qëllim diversifikimin e sektorit të saj energjetik.

Gjithashtu, nga DASH-i theksuan se gazsjellësi Ndërlidhja Jugore ka qenë prioritet i Qeverisë amerikane gjatë tri administratave të fundit, dhe se ai do ta zgjerojë dhe diversifikojë sektorin energjetik të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Duke i dhënë asaj kontroll më të madh mbi furnizimin me energji përmes ofrimit të qasjes në gaz natyror dhe duke ulur varësinë nga një burim i vetëm, jo i besueshëm”, thanë nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Siç u tha në përgjigje, eksporti i energjisë amerikane është shtylla qendrore e bashkëpunimit ekonomik të SHBA-së me partnerët evropianë.

“SHBA-ja ka burime për të mbështetur përpjekjet evropiane për t’u shkëputur nga energjia ruse dhe për të nxitur rritjen ekonomike. Kompanitë amerikane janë partnere të besueshme dhe janë të gatshme të ofrojnë mbështetje”, thanë nga Departamenti amerikan i Shtetit në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë.

Bosnja dhe Hercegovina konsumon çdo vit deri në 250 milionë metra kub gaz, i cili hyn në shtet fillimisht në Shepak në lindje, dhe përmes një traseje të ndërtuar gati 50 vjet më parë transportohet deri në Sarajevë, ku është numri më i madh i konsumatorëve, dhe më tej në Bosnjën qendrore.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump të martën do të presë Zelenskyyn dhe Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë, do të zhvillojë takime të ndara

Presidenti amerikan, Donald Trump do të mirëpresë homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë të marten. Një...
21:00 | 27/07/2026

Kryeministri irakian urdhëron hetim lidhur me akuzat e Arabisë Saudite për sulm me dronë

Kryeministri irakian Ali al-Zaidi u ka urdhëruar autoriteteve të sigurisë të hetojnë pretendimin e Arabisë Saudite se dronët që synojnë mbretërinë janë lëshuar nga territori...
20:23 | 27/07/2026

Pashinyan bisedë telefonike me Putin, kërkon zgjidhje lidhur me kufizimet ruse mbi eksportet armene

Kryeministri armen Nikol Pashinyan i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin gjatë një telefonate të hënën që të ndihmonte në zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje mbi kufizimet...
19:59 | 27/07/2026