Kaos në aeroportin e Kabulit, talebanët nisin ‘gjuetinë e shtrigave’

20 Gusht 2021 | 21:40

Në aeroportin e Kabulit vijojnë të verifikohen skena kaotike, teksa disa mijëra afganë dhe shtetas të huaj përpiqen të largohen nga vendi.

Qytetarët afganë janë përballur me të shtëna armësh dhe shpërthimet e granatave trullosëse, të hedhura nga trupat ushtarake që kontrollojnë aeroportin.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se po përshpejtojnë planet e evakuimit nga aeroporti i kryeqytetit afgan, pas kritikave se procesi po ecte me ngadalë.

Mbi 18 mijë persona janë evakuuar nga Kabuli që nga dita kur talebanët morën nën kontroll Afganistanin, bëri të ditur të premten një zyrtar i NATO-s, i cili shtoi se përpjekjet do të dyfishohen.

Një shtetas britanik, që punonte si këshilltar biznesi në Kabul, tregoi skenat kaotike të verifikuara në aeroport.

“Arrita të gjeja një biletë dhe të arrija në aeroport, ku më dhanë edhe boarding pass-in. Atje kishte një panik të madh, pasi brenda terminalit thuhej se talebanët kishin marrë nën kontroll aeroportin dhe se do të hynin brenda”, u shpreh ai.

Ndërsa një grup qytetarësh afganë që mbërritën të premten në një kamp të Kryqit të Kuq në jug të Berlinit ishin të rraskapitur dhe të uritur.

“Mes tyre ishte edhe një grua shtatëzënë dhe ne u kujdesëm për të me personel mjekësor të specializuar. Kemi një doktoreshë në kamp dhe do të kujdesemi që të gjithë të jenë mirë. Gjendja e emigrantëve në përgjithësi është e mirë, por ata janë të lodhur dhe të uritur”, tha Olaf Jansen, ministër i Emigracionit në Brandenburgut.

Ndërkohë, gjatë lutjeve të së premtes një përfaqësues i talebanëve u bëri thirrje mbështetësve të ish-qeverisë që të bashkohen me ta në një sistem islamik të përbashkët.

“Mesazhi im për vëllezërit që janë ende me qeverinë e mëparshme është të vijnë e të rreshtohen krah nesh për të vendosur një sistem islamik në vendin tonë”, deklaroi Fazll Allah.

Ai u bëri thirrje imamëve që të bindin njerëzit të mos largohen nga vendi. Por deklaratat e guerrilasve se nuk do të prekin armiqtë e mëparshëm dhe bashkëpunëtorët e trupave aleate të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara duket se kanë qenë vetëm fjalë, pasi në praktikë që gjërat ndryshojnë.

Kështu, 9 burra të minoritetit hazara u torturuan dhe u vranë nga talebanët, bëri të ditur Amnesty International, ndërkohë që transmetuesi gjerman “Deutsche Ëelle” raportoi se guerrilasit kishin vrarë të afërmin e një prej gazetarëve të tij.

Ndërkohë, një shtetas afgan që punoi si përkthyes për forcat britanike tha për BBC se pret që ta vrasin, pasi aplikimi i tij për t’u strehuar në Britani u refuzua.

Personi në fjalë, që nuk u identifikua, dhe bashkëshortja e paralizuar ishin strehuar tek fqinjët e tyre në Kabul natën e së enjtes, kur një fqinj e zgjoi rreth orës 3 të mëngjesit, duke e lajmëruar se talebanët kishin hyrë në zonë.

Ai u arratis duke kaluar një mur prapa shtëpisë, duke lënë bashkëshorten e tij pas.

Në Afganistan është ende një rajon që po i reziston pushtimit të talebanëve, Lugina Panxhshir.

Panxhshiri ka një reputacion të hekurt sa i takon rezistencës, të cilën ua bëri pushtuesve sovjetikë dhe më pas talebanëve gjatë luftës civile.

Por ekspertët e sigurisë thonë se rajoni ka pak gjasa t’u bëjë qëndresë talebanëve nëse këta të fundit kryejnë një ofensivë madhore.

Nga ana tjetër, Agjencia e OKB-së për Ushqimin ka paralajmëruar për një krizë të tmerrshme humanitare që po përfshin Afganistanin.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Biden: Do përdor çdo burim për evakuim të sigurt të aleatëve nga Afganistani

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026