Abazi: Kosova duhet të trajtohet e barabartë në dialogun me Serbinë
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka zhvilluar sot takim me udhëheqësin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog.
Pa praninë e mediave, për rreth një orë është diskutuar për konkluzionet e nxjerra nga samiti në Brdo të Sllovenisë, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe dialogun me Serbinë.
Pas përfundimit të takimit, ambasadori i BE-së nuk u prononcua për medie, ndërsa kryetari i komisionit, Haki Abazi, tha se Kosova nuk ka zgjidhje tjetër përveç rrugëtimit evropian dhe se ajo duhet të trajtohet e barabartë në procesin e dialogut.
“Çështjet kryesore të diskutimit ishin konkluzionet, përfundimet e nxjerra nga takimi i Brdo, liberalizimi i vizave një prej çështjeve që po përcjell Kosovën, aspektin e dialogut Kosovë-Serbi dhe përkushtimin e zotimit të institucioneve të Kosovës për t’i përmbushur obligimet tona në rrugëtimin evropian. Takimi ishte konstruktiv, biseduam gjerë e gjatë për pikëpamjet e BE-së dhe pritjet e qytetarëve. E mira është dhe e bukura e kësaj është se u pajtuam se nuk ka rrugë tjetër për Kosovën përvese përfundimi në rrugëtimin evropian”, tha ai, raporton Kosova Press.
Abazi tha se nuk mund të flitet për bashkëpunim rajonal për sa kohë që Serbia po e saboton të drejtën e Kosovës për të qenë e barabartë.
“Ne prekëm çështjet e ngadalësimit dhe një dinamike më të zvogëluar të arritjeve të Kosovës sa i përket integrimit evropian, pikërisht pse dialogu i zhvilluar në formatin e mëhershëm ka qenë pengesë dhe ka mundësuar Serbisë të sabotojë proceset e brendshme në Kosovë. Dialogu duhet të formatohet në formën e trajtimit të barabartë të Kosovës dhe Serbisë… Kjo është arsyeja pse insistimi ynë për vazhdimin e Procesit të Berlinit është këmbëngulës, pasi vetëm aty mund të realizojmë të drejtat e barabarta si shtet në proceset rajonale”, tha Abazi.
Krahas kësaj, ai tha se liberalizimi i vizave nuk ka qenë në konkluzionet e samitit në Brdo të Sllovenisë, pasi është një proces i ndarë nga integrimi evropian.
“Çështja e liberalizimit të vizave është e ndarë plotësisht nga procesi i integrimit evropian. Kjo si rrjedhojë është se takimi i Brdo nuk ka pasur në fokus lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Kjo është punë që na mbetet neve si institucione”, tha Abazi.
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta