Agjenda e dialogut pritet të hartohet para takimit të radhës Kurti-Vuçiç

20 Qershor 2021 | 13:12

Agjenda e dialogut Kosovë-Serbi pritet të dakordohet para takimit të dytë ndërmjet kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel.

Megjithëse, parimisht është pajtuar 25 korriku si datë, në partinë e shefit të ekzekutivit thonë se ajo duhet të konfirmohet pasi ka dallime mbi vijueshmërinë e diskutimeve.

Ndërsa, njohësit e procesit të dialogut thonë se para takimit Kurti-Vuçiç duhet të ketë një takim i rangut më të ulët për përgatitjen e këtij takimi dhe pajtueshmërinë e kornizës së negociatave.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni thotë për KosovaPress, se takimi i parë i kryeministrit Kurti me palën serbe ka dëshmuar qasjen ndryshe të tyre për dialogun me Serbinë.

“Qëndrimi dhe pozicionimi i kryeministrit në dialogun me Serbinë ka qenë mjaft i qartë dhe ka treguar se ne jemi të gatshëm të tregohemi konstruktiv, derisa jemi brenda kornizave që ne konsiderojmë se nuk duhet të dalim. Prandaj qëndrimi i Albin Kurtit si kryeministër dhe propozimet që i ka nxjerrë, tregon që ne kemi qasje ndryshe dhe po dëshirojmë t’i qasemi ndryshe nga të tjerët. Prandaj kemi shkuar edhe me propozime të reja dhe jo të vazhdojmë aty ku kanë mbetur dhe kanë lënë të tjerët… Parimisht janë dakordësuar që të mbetet 25 korriku data kur do të jetë takimi i radhës, megjithatë e dimë që nuk ka një konfirmim se nuk ka pasur pajtueshmëri për agjendën që pritet të jetë pjesë e dialogut”, thotë ajo.

Nevojën për një takim paraprak ndërmjet palëve, para atij të dy krerëve të shtetit e thotë drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha.

Ai thotë se takimi mund të jetë i një rangu më të ulët politikë për ta vendosur kornizën e negociatave gjatë muajve në vijim.

“Kjo pastaj do të hapte rrugë që në nivel teknik, të fillojnë në nivel diplomatik negociatat për një gamë çështjesh teknike dhe thelbësore që përbëjnë mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky raund negociatash pastaj diplomatike do të ishte le të themi përgatitje e terrenit për takimin e ardhshëm Kurti-Vuçiç, ku dy liderët do të mund të konfirmonin negociatat diplomatike, ose të mbyllnin një raund të dakordimeve që janë bërë, ose të përmbyllin gjithë raundin negociator”, thotë Shasha.

Por, para këtij takimi të dytë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiç, profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se duhet të hartohet një platformë për dialogun në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk ka dilemë që kjo çështje është e ndjeshme dhe fjalën e fundit duhet të ketë Parlamenti i Kosovës, vendi ku mishërohen qëndrimet pro dhe kundër. Hartimi i një platforme dhe miratimi i saj nga parlamenti është domosdoshmëri, sepse miratimi i saj do të paraqiste bazamentin e ecjes përpara të ekzekutivit kosovar”, thotë ai.

Të martën e kësaj jave u takuan për herë të parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Në Bruksel, kryeministri Kurti i paraqiti katër propozime për vijueshmërinë e dialogut, por u refuzuan nga pala serbe.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror. Këto deklarata ajo i...
13:38 | 03/06/2026