Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi se shtëpia e tij në Florida është bastisur nga FBI dhe se agjentët hapën një kasafortë.
Trump u shpreh se shtëpia në Mar-a-Lago në Palm Beach u ‘pushtua’ për disa orë nga një grup i madh agjentësh të FBI, shkruan BBC.
Sipas mediave amerikane, kontrolli lidhet me dokumente zyrtare që ish-presidenti mund t’i ketë çuar në Mar-a-Lago pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
Avokatja e Trump, Christina Bobb, tha për mediat se disa dokumente ishin sekuestruar gjatë kontrollit.
Përshkallëzimi dramatik i kontrollit të zbatimit të ligjit ndaj Donald Trump, vjen ndërsa ai përgatitet për një kandidim të mundshëm presidencial në vitin 2024.
“Këto janë kohë të errëta për kombin tonë. Kam bashkëpunuar me të gjitha agjencitë përkatëse qeveritare, kështu që bastisja e paparalajmëruar në shtëpinë time nuk ishte e nevojshme apo e përshtatshme. Një sulm i tillë mund të ndodhë vetëm në vendet e shkatërruara, të botës së tretë. Mjerisht, Amerika tani është bërë një nga ato vende, të korruptuara në një nivel të paparë më parë”, u shpreh ish-presidenti në lidhje me bastisjen e shtëpisë së tij.
LEXONI GJITHASHTU