Në katër ditët e para te vitit te ri janë shënuar tetë aksidente me katër viktima.
Bilanci tragjik i ditëve të para të 2021-shit u përmbyll me një aksident të frikshëm mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji ku një autoveturë u përplas me një minibus si pasojë e të cilit humbi jetën një 36 vjeçar si dhe u plagosën gjashtë të tjerë.
Euronews Albania sjell pamjet filmike të momentit të aksidentit ku siç shihet automjeti tip “Volkswagen” ka bërë parakalim të gabuar me një shpejtësi tej normave të lejuara dhe i ka dalë përpara minibusit.
Lidhur me këtë manovër të gabuar policia e Elbasanit arrestoi drejtuesen 29 vjeçare të veturës, ndaj së cilës rëndojnë veprat penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Sakaq Euronews Albania ka mësuar nga policia rrugore jo-zyrtarisht se edhe në aksidentet e tjera të regjistruara këtë fillim-viti ku janë regjistruar katër viktima e plagosur tetë të tjerë shkak është bërë moszbatimi i rregullave të qarkullimit sidomos tejkalimi shpejtësisë dhe parakalimet e gabuara.
Bilanci i regjistruar vjen fill pas përmbylljes së vitit 2020, i cili u caktua si “viti i sigurisë rrugore”, por masat e parashikuara që do të ndërmerreshin u shtynë si pasojë e pandemisë duke lënë në harresë dhe ndryshimet ne kodin rrugor që parashikonin ashpërsimin e ndëshkimeve për drejtuesit e automjeteve.
Lexoni gjithashtu:
Kamerat e sigurisë kapin momentet e aksidentit të rëndë në Elbasan