Aksidenti me 67 viktima, vijon puna për nxjerrjen nga lumi të pjesëve të avionit

3 Shkurt 2025 | 22:04

Ekipet e posaçme nxorën nga lumi Potomak të hënën një pjesë të madhe të avionit të pasagjerëve, pesë ditë pas përplasjes në ajër me një helikopter ushtarak pranë aeroportit “Ronald Reagan” ku humbën jetën 67 njerëz.

Autoritetet kanë thënë se operacioni për nxjerrjen e pjesëve të avionit do të zgjasë disa ditë dhe më pas do të punohet për nxjerrjen e pjesëve të helikopterit të përfshirë në aksident.

Përplasja mes avionit të kompanisë “American Airlines” dhe një helikopteri ushtarak pranë kryeqytetit amerikan të mërkurën e kaluar ishte katastrofa ajrore më vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2001.

Deri tani janë gjetur dhe identifikuar trupat e 55 individëve. Shefi i Departamentit të Zjarrfikëses, John Donelly tha se ka besim se të gjithë trupat do të gjenden, ndërsa ekipet e posaçme vazhdojnë kërkimet në lumin që ndan kryeqytetin amerikan me shtetin e Virxhinias.

Në operacione po marrin pjesë më shumë se 300 pjesëtarë të grupeve speciale, thanë zyrtarët. Dy anije ushtarake po përdoren për të ngritur pjesët e mëdha të avionit. Palombarët dhe ekipet speciale po u përmbahen protokolleve të rrepta për t’u dhënë përparësi gjetjes së trupave, tha të dielën koloneli Francis B. Pera me Korpusin e Inxhinierëve të Ushtrisë. Gjetja me dinjitet e trupave ka përparësi mbi gjithçka tjetër, tha ai.

Pjesët e mjeteve ajrore që u përplasën mbi lumin Potomak javën e kaluar do të dërgohen në një hangar të posaçëm për të zhvilluar hetime të mëtejshme lidhur me shkakun e aksidentit.

Aksidenti ndodhi ndërsa një avion pasagjerësh i nisur nga Uiçita e Kansasit po përgatitej të ulej në aeroportin Reagan dhe u përplas me një helikopter ushtarak i cili ishte në një mision trajnimi. Nuk ka të mbijetuar nga aksidenti.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump prezanton pasaportën e re amerikane me portretin e tij për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së

Presidenti amerikan Donald Trump prezantoi të premten pasaportat koleksionuese që mbajnë portretin e tij, të cilat do të qarkullojnë në një numër të kufizuar në...
09:06 | 27/06/2026

Meloni dhe Trump, një grindje shumë publike që po rezulton shumë e vështirë për t’u rregulluar

Në rrjetet sociale në Itali po qarkullon një meme i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, që tregon Giorgia Melonin duke bërë të gjitha gjërat që mund...
08:19 | 27/06/2026

Bilanci tragjik i tërmeteve në Venezunelë deri tani: 920 viktima dhe 3360 të plagosur

Më shumë se 900 persona janë vrarë dhe 3,360 të tjerë janë plagosur nga tërmetet në Venezuelë, sipas qeverisë, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të...
08:16 | 27/06/2026