Akuza dhe kundër akuza: Japonia përplaset me Kinën për “militarizimin”

1 Qershor 2026 | 16:10

Japonia dhe Kina kanë shkëmbyer akuza të forta gjatë forumit të sigurisë Shangri-La Dialogue në Singapor, duke reflektuar tensionet në rritje mes dy fuqive aziatike.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, kritikoi Pekinin për zgjerimin e kapaciteteve ushtarake pa transparencë të mjaftueshme, duke e cilësuar situatën si shqetësim serioz për Japoninë dhe komunitetin ndërkombëtar.

“Kina vazhdon të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në nivele të larta dhe aktivitetet e saj ushtarake përbëjnë një shqetësim serioz”, deklaroi Koizumi.

Komentet e tij vijnë në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar, veçanërisht pas deklaratave të kryeministres japoneze Sanae Takaichi se Japonia mund të ndërhyjë nëse Kina ndërmerr veprime ushtarake kundër Tajvanit.

Pekini ka akuzuar vazhdimisht Tokion se po largohet nga parimet pacifiste që kanë udhëhequr politikën e saj të sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Vetëm pak javë më parë, Ministria e Jashtme kineze u bëri thirrje vendeve të rajonit Azi-Paqësor të kundërshtojnë atë që e quajti “neo-militarizëm japonez”.

Koizumi i hodhi poshtë këto akuza.

“Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës”, tha ai.

“Ka një vend që zotëron një arsenal të madh armësh bërthamore dhe bombardues strategjikë. Japonia nuk ka asnjërën prej tyre. Megjithatë, Japonia etiketohet si ‘militarizëm i ri’. A nuk është e çuditshme?”, shtoi ministri japonez, pa e përmendur drejtpërdrejt Kinën.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi kinez në forum, gjeneralmajor Meng Xiangqing, vuri në pikëpyetje rolin e Japonisë në bashkëpunimin rajonal të sigurisë.

“Dyshoj thellësisht nëse një vend që nuk ka eliminuar plotësisht trashëgiminë toksike të militarizmit është i kualifikuar të flasë gjerësisht për bashkëpunimin në mbrojtje”, deklaroi ai.

Pavarësisht tensioneve, Koizumi tha se Japonia mbetet e hapur për dialog me Kinën.

“Ne e mbajmë derën hapur”, u shpreh ai, duke shtuar se ishte i zhgënjyer që ministri kinez i Mbrojtjes, Dong Jun, mungoi për të dytin vit radhazi në forum.

Ndërkohë, Japonia konfirmoi se do të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake, përfshirë inteligjencën artificiale, sistemet pa pilot, mbrojtjen kibernetike dhe atë hapësinore.

Paralelisht, Japonia dhe Koreja e Jugut po diskutojnë mundësinë e një marrëveshjeje për mbështetje logjistike ushtarake, një tjetër sinjal i forcimit të bashkëpunimit të sigurisë mes aleatëve kryesorë të Shteteve të Bashkuara në rajonin Indo-Paqësor.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Nuk e braktise vajzën edhe në frymën e fundit”, deklarata rrënqethëse e bashkëshortit që humbi gruan nga tërmeti

Një nënë venezueliane ka vdekur ndërsa po shpëtonte vajzën e saj gjatë tërmeteve që goditën vendin, sipas bashkëshortit të saj, futbollistit Héctor Bello, dhe mediave...
19:04 | 26/06/2026

Sulmet e fundit iraniane me dronë, Trump: Një shkelje e pamend e marrëveshjes së armëpushimit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i quajti të premten sulmet e fundit me dronë kundër anijeve në Ngushticën e Hormuzit një “shkelje të pamend” të...
18:35 | 26/06/2026

Autoritetet shëndetësore afrikane pranojnë se 300 pacientë me Ebola kanë humbur gjurmët

Vendndodhja e gati 300 personave që rezultuan pozitivë për Ebolën në Republikën Demokratike të Kongos mbetet e panjohur, sipas drejtorit të përgjithshëm të Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin...
18:23 | 26/06/2026