Akuzat për Thaçin e Veselin, Rama: Po hidhet baltë në krejt shqiptarinë, Serbia ishte agresori

25 Qershor 2020 | 12:32

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka folur para deputetëve në Kuvend për ngritjen e aktakuzave nga Prokuroria Speciale për presidentin Thaçi dhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se, teksti i akuzave të Prokurorisë Speciale ngjason me atë që ai e quan “fletërrufe të revolucionit kulturor kinez”, që paragjykon edhe prezumimin e pafajësisë për të akuzuarit. Ai tha se ajo akuzë ka hedhur baltë jo vetëm për dy emra të përveçëm dhe për Kosovën, por për të gjithë shqiptarinë.

“Të jemi të qartë, drejtësia është drejtësi dhe nuk është drejtësia në vetvete, dhe as kërkim i saj nga një strukturë e miratuar me vullnetin e vetë Kuvendit, që ngre pikëpyetje të mëdha, të rënda, të papranueshme në heshtje, por është leximi i tekstit të shpërndarë në mbarë botën, për të lajmëruar një proces gjyqësor prej dy figurave të luftës dhe paqes në Kosovë. Një tekst i shkruar, i cili edhe sikur të mos ketë asnjë zhvillim të mëtejshëm juridik, për ne që e kemi jetuar në rininë tonë atë kohë, i ngjan një fletërrufeje të revolucionit kulturor kinez, ku fryma diskredituese e fjalëve asgjëson vetë prezumimin e pafajësisë. Pikërisht kjo e kthen atë tekst në një rrufe që godet shumë më përtej dy emrave të përveçëm, duke shpërndarë nëpër krejt botën, sot e zvogëluar prej shpejtësisë prej vrapimit të lajmeve, një njoftim ku nuk është se hidhet një baltë marramendëse thjesht mbi Thaçin e Veselin, as mbi UÇK vetëm, por mbi vetë Kosovën dhe krejt shqiptarinë”, tha Rama.

Kryeministri i vendit, u shpreh gjithashtu se akuzat e Prokurorisë Speciale po ngrenë pikëpyetje në mënyrë të padrejtë për vetë kauzën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për liri dhe pavarësi.

“Teksti i mbrëmshëm krijon perceptimin e tmerrshëm të një vendi mes të Evropës, ku falë krimeve të njerëzimit është instaluar një regjim kriminal. Në atë tekst duket sikur lexon për atdheun e agresorëve, jo për vendin e viktimave të agresionit. Ai tekst indinjues, që nuk është aktakuzë në vetëvete, por është një prelud i pakuptueshëm në aspektin juridik, në aspektin e procedurës, së një drejtësie të drejtë. Një prelud mediatik, i një procesi që më pas vijon, por që si i tillë ngre një varg pikëpyetjesh, pikëpyetje të rëndë, jo vetëm me pastërtinë e udhëheqësve politikë, por edhe për kauzën e ushtrisë së Kosovës”, tha ai.

Rama thekson se Serbia nuk ishte viktimë, por agresori që shkaktoi pasoja të shumta për jetën e shqiptarëve. Sipas tij, Thaçi, Veseli, Haradinaj dhe shumë të tjerë u rebeluan ndaj agresorit në emër të viktimave të pafajshme.

“Serbia nuk ishte viktimë, por ishte agresori dhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj dhe të gjithë të tjerët u rebeluan ndaj agresorit në emër të viktimave, ky është fakt. Unë nuk flas për pastërtinë dhe për pafajësinë e UÇK, ajo është vetëkuptueshme, është natyrisht dhe nëse flas për të, kam frikë se me vërtet shumëkush mund të thotë se po i shmanget asaj, për të cilën në fakt duhet folur”, tha ai.

Duke e cilësuar luftën e UÇK si luftë të drejtë, kryeministri Rama nënvizoi se Kosova ka qenë dhe do mbetet pjesë e pandashme e kombit shqiptar.

“Ata janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe e kanë bërë historinë vetë, duke i dhënë asaj pandryshueshmërinë e mundshme në jetë të jetëve, si histori e çlirimit të asaj pjesë të pandashme të kombit shqiptar që quhet Kosovë”, u shpreh Rama.

Presidenti Thaçi dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, por edhe persona të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit ndër të cilat vrasje, zhdukje të personave, përpjekje për bllokim të drejtësisë dhe tortura.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, tha dje para mediave se akuzat e ngritura janë të pavërteta dhe kanë karakter politik, ndëkohë kreu i shteti Thaçi nuk ka reaguar ende publikisht, por ka publikuar një foto në “Facebook” me stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Lexoni gjithashtu:

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Thaçin dhe Veselin si përgjegjës për 100 vrasje

Akuzat për Thaçin dhe Veselin, kreu i Veteranëve të UÇK Hysni Gucati: Kjo gjykatë është raciste

Akuzat ndaj Thaçit për krime lufte, Meta: Besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së

Hashim Thaçi anulon pjesëmarrjen në takimin për dialogun në Shtëpinë e Bardhë

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026