Arrestohet kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe

6 Korrik 2021 | 10:28

Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe është arrestuar nga policia, pasi akuzohet për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se Tushe është arrestuar gjatë një operacioni të ndërmarrë me urdhër të SPAK, ku në pranga kanë rënë edhe 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, të cilët janë: Flamur Peqini, Xhemal Hasko, Blerta Turuku, Ani Simoni, Andri Mushaj, Margarita Gjermeni, Bujar Murati, Ibrahim Lami, Xhemal Hasko dhe Gazment Çela.

Këta të fundit akuzohen për veprat penale: “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Ndërkohë, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 7 persona, me të cilëve edhe kryebashkiaku Tushe, ndërsa për 4 personat e tjerë është dhënë masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati raportoi se hetimi nga SPAK ka nisur 1 vit më parë për një tender të kanalizimeve me vlerë 24 milionë lekë, ku dyshohet se është abuzuar me fondet publike.

Hetimet për këtë dosje janë udhëhequr nga prokurorja Manjola Kajana.

Ndërkohë sot janë kryer kontrolle edhe në banesat e të arrestuarve si dhe në zyrat e Bashkisë së Lushnjës.

Kush është Fatos Tushe? 

Tushe ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, dega Makineri në vitin 1994 dhe më pas vazhdoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 2009.

Fatos Tushe para kandidimit për Bashkinë Lushnjë në 2011, ka shërbyer si deputet i Parlamentit për zonën e Fierit dhe si anëtar i Partisë Socialiste.

Ai ka qenë anëtar në Komisionin e Prodhimit, Tregtisë dhe Mjedisit, si dhe kryetar i bashkisë Lushnjë për vitet 2007–2009.

Pas vitit 2009, ai mori mandatin e deputetit, të cilin e mbajti deri në vitin 2011.

Më pas, ai dha dorëheqjen si deputet sepse kandidoi për bashkinë e Lushnjës në zgjedhjet lokale të vitit 2011.

Më 31 dhjetor të vitit 2019, kryebashkiaku Tushe dhe sekretarja e tij mbetën të plagosur, pasi ish-shoferi i tij, Gëzim Saraçi i hodhi një granatë në zyrë.

Në atë kohë për kapjen e Gëzim Saraçit, policia vuri në dispozicion 1 milionë lekë për këdo që jepte informacion të vlefshëm.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026