Astrit Patozi jep dorëheqjen si kryetar i Bindjes Demokratike

2 Maj 2021 | 13:00

Kryetari i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka dhënë dorëheqjen si drejtues kësaj force politike pas rezultatit zhgënjyes që mori në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Z. Patozi në një reagim në rrjetet sociale thotë se merr përgjegjësinë e këtij rezultati dhe për këtë arsye largohet nga drejtimi i partisë së themeluar prej tij në prill 2019.

“Duke falënderuar edhe një herë kandidatët, mbështetësit dhe të gjithë votuesit e Bindjes Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, kam vendosur të marrë të gjitha përgjegjësitë për mosarritjen e objektivave tona elektorale dhe të dorëhiqem nga drejtimi i partisë”, deklaron ai.

Astrit Patozi shton se “askush prej nesh nuk kishte keqkuptimin se rezultati do të arrihej me një të rënë të sëpatës dhe asnjëherë nuk e kishim menduar se Bindja Demokratike ishte projektuar për vetëm një palë zgjedhje”, ndaj inkurajon që pasuesit të vazhdojnë betejat politike.

“Dorëheqja ime është një akt moral përgjegjësie, por kurrsesi dorëzim. E kemi shpallur që në ditën e parë të themelimit se Bindja Demokratike nuk është një njeri, as një grup personash, e aq më pak pronë apo ndërmarrje biznesi e dikujt”, shprehet z. Patozi.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Bindja Demokratike mori në të gjithë vendin 8 238 vota ose 0.52% në rang kombëtar. Astrit Patozi ishte kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës, ku BD siguroi në total 2 469 vota ndërsa vota preferenciale kishte 830.

Dorëheqja e z. Patozi është e dyta pas largimit të Jozefina Topallit nga drejtimi i partisë Lëvizja për Ndryshim. Znj. Topalli e cila mori pjesë për herë të parë në një garë elektorale me partinë e porsa formuar, u largua pas rezultatit zhgënjyes. Lëvizja për Ndryshimi mori 7 049 vota ose 0.45% në rang kombëtar.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Votat e pavlefshme në zgjedhjet e 25 prillit | E Vërteta me Fjalë

Në emisionin “E Vërteta me Fjalë” në Euronews Albania, Baton Haxhiu, autori i emisionit analizon fenomenin e votave të pavlefshme dhe sipas tij ky është...
11:57 | 08/05/2021

Kush janë kandidatët e ‘djegur’ nga sistemi që kanë marrë më shumë vota se sa deputetët e rinj

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, u përdor për herë të parë vota preferenciale. Por, listat nuk ishin plotësisht të hapura pasi siç e tregon...
19:36 | 03/05/2021

Kryeministri Rama komenton akuzat e opozitës për vjedhje votash

Në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, kryeministri Edi Rama ka komentuar akuzat e opozitës për vjedhje votash. Kreu i qeverisë sugjeron që opozita...
12:19 | 02/05/2021