BE vendos tarifë 3 euro për importet e lira online, preken platformat e njohura të shitjeve

1 Korrik 2026 | 13:17

Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin e një tarife prej 3 eurosh për importet e tregtisë elektronike me vlerë të ulët që hyjnë në bllok nga vende jashtë BE-së, kryesisht nga Kina shkruan Reuters. Masa prek drejtpërdrejt platformat e njohura të shitjeve online si Shein, Temu dhe AliExpress, të cilat kanë ndërtuar modelin e tyre të biznesit mbi dërgesat me çmime shumë të ulëta.

Tarifat, që hynë në fuqi këtë të mërkurë, do të aplikohen për çdo klasifikim doganor brenda një dërgese. Kjo do të thotë se një pako me tre kategori të ndryshme produktesh do të paguajë një tarifë totale prej 9 eurosh, ndërsa një pako me disa artikuj të së njëjtës kategori do të tarifohet me 3 euro.

Vendimi shënon hapin e parë të Bashkimit Evropian për të kufizuar atë që e konsideron konkurrencë të pandershme nga platformat e tregtisë elektronike. Përjashtimi nga detyrimet doganore për pakot me vlerë deri në 150 euro kishte qenë në fuqi që nga viti 2008, por rritja e ndjeshme e numrit të dërgesave ka shtuar shqetësimet për humbjen e të ardhurave doganore dhe hyrjen e produkteve që nuk përmbushin standardet europiane.

Sipas të dhënave të BE-së, numri i pakove që hynë në bllok përmes këtij përjashtimi u rrit nga 1.4 miliardë në vitin 2022 në 5.8 miliardë gjatë vitit 2025.

Ligjvënësi europian Dirk Gotink, i cili udhëheq reformën doganore në Parlamentin Europian, tha se sistemi ishte keqpërdorur në shkallë të gjerë.

“Në një botë tjetër tregtare kjo kishte kuptim, por ajo botë nuk ekziston më. Përjashtimi është abuzuar në një shkallë industriale dhe ka krijuar një avantazh të padrejtë konkurrues në dëm të bizneseve europiane”, u shpreh ai.

Ekspertët e tregtisë parashikojnë se tarifat e reja do të ulin me 10% deri në 35% dërgesat ajrore të tregtisë elektronike drejt Bashkimit Evropian në javët e para të zbatimit.

Ndërkohë, Shein ka nisur të përshtatet me rregullat e reja duke zgjeruar kapacitetet e magazinimit në Poloni dhe duke transportuar më shumë mallra drejt BE-së në sasi të mëdha. AliExpress ka njoftuar se klientët do të informohen për tarifat e importit përpara përfundimit të blerjes, ndërsa Amazon bëri të ditur se 97% e dërgesave të saj në Bashkimin Evropian realizohen nga magazina brenda bllokut.

Tarifa prej 3 eurosh është një masë e përkohshme dhe pritet të zëvendësohet nga një sistem i ri tarifash sipas kategorive të produkteve, i cili do të hyjë në fuqi më 1 korrik 2028, me nisjen e funksionimit të Autoritetit të ri Doganor të Bashkimit Evropian./ Reuters

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Një muaj pas tërmeteve vdekjeprurëse, venezuelianët ende kërkojnë të dashurit e tyre nën rrënoja

Më shumë se 5,300 njerëz janë konfirmuar të kenë vdekur nga tërmetet dhe më shumë se 16,500 të tjerë janë plagosur, sipas një numri të...
10:17 | 24/07/2026

Tentohet të vidhet një bankë në Gjermani, vritet një punonjës gjatë pengmarrjes. Arrestohet 20-vjeçari autor i krimit

Një burrë ka vdekur në një incident pengmarrjeje në një degë banke në Regensburg, Bavari, në Gjermaninë jugore. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar pas...
10:03 | 24/07/2026

Riorganizim në qeverinë gjermane, Merz ndryshon kabinetin dhe shkarkon Ministrin e Transportit

Kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi  të premten, se Nina Warken do të marrë detyrën si drejtuese e kancelarisë së tij, pas lëvizjes së Torsten Frei...
09:41 | 24/07/2026