Drejtoresha e lajmeve në Euronews Albania, Ilva Tare komentoi konfirmimin e Joe Biden si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe protestën e fundit në Uashington.
Zonja Tare u shpreh se ishin të dhimbshme pamjet që pamë dje në ambientet e Kongresit Amerikan.
“Kjo është një situatë e pazakontë deri diku e dhimbshme që na panë sytë në Capitol Hill, godinën më të rëndësishme të botës, përsa i takon demokracisë”, u shpreh zonja Tare.
Gazetarja theksoi se tashmë Joe Biden dhe Kamala Harris janë drejtues të Shtëpisë së Bardhë.
“Joe Biden dhe Kamala Harris janë tashmë drejtues të Shtëpisë së Bardhë. Është formale pjesa e betimit në datë 20. Kjo tregon se kur ka drejtues të rrezikshëm, që nuk e vlerësojnë demokracinë, ashtu siç në SHBA jemi mësuar ta shohim dhe e ka eksportuar në vende të tjera, tregon se institucionet vihen në provë”, tha ajo.
Sipas zonjës Tare, ngjarja e djeshme tregoi se Shtetet e Bashkuara i rezistuan ‘tërmetit’ Trump.
“Demokracia nuk është një e dhënë e vendosur në mur dhe ruhet aty, është një punë në progres. Të gjithë kontribuojnë atje, mund ta dëmtojnë seriozisht dhe mund të shkaktojnë tërmete të forta, por tregon që SHBA i rezistuan tërmetit Trump. Ajo çfarë po ndodh tani është efekti i shokut dhe pabesueshmërisë të atyre pamjeve kur protestuesit e dhunshëm u futën në Capitol Hill ”, u shpreh ajo më tej.
Gazetarja nënvizoi se Mike Pence është personi që shpëtoi demokracinë e SHBA-së.
“Tani që flasim Donald Trump i është bllokuar llogaria në Facebook dhe Twitter, tregon nivelin rrezikshmërinë dhe twitter-ve dhe nxitjes për të cilën është akuzuar këto orë të fundit në SHBA, të dhunës. Edhe mbështetësit më të mëdhenj të Trump nuk kanë dashur të asociohen. Unë kam vënë re që gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme dhe gjatë natës edhe përfaqësues të jetës publike dhe gazetarë që kanë qenë haptazi në mbështetje të Trump, mbrëmë e kanë braktisur atë, kanë folur në emër të shtetit ligjor, të shtetit të së drejtës. Nuk është dhuna për të mbajtur pushtetin, për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve. Edhe Mike Pence e tha shumë bukur, që duhet thënë që është personi që shpëtoi demokracinë në këtë orë”, përfundoi ajo.
Lexoni gjithashtu:
Joe Biden konfirmohet president i SHBA