Britania, Italia dhe Japonia bashkojnë forcat për avionin e gjeneratës së gjashtë

9 Dhjetor 2022 | 15:51

Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Japonia kanë formuar një aleancë në sektorin e mbrojtjes, për projektimin dhe prodhimin e avionit luftarak të së ardhmes.

Bëhet fjalë për një avion supersonik të gjeneratës së gjashtë, që pritet të zëvendësojë atë aktual “Eurofighter Tayphoon”, fryt i bashkëpunimit mes Italisë, Britanisë, Gjermanisë dhe Spanjës.

Njoftimi u bë nga kryeministri britanik Rishi Sunak, i cili konfirmoi lajmet që prej ditësh qarkullonin në mediat ndërkombëtare.

“Siguria për Mbretërinë e Bashkuar, si për sot ashtu dhe për gjeneratat e ardhshme, do të jetë prioriteti numër 1 i kësaj qeverie. Për këtë arsye duhet të qëndrojmë në pararojë në progreset e teknologjisë së mbrojtjes, duke tejkaluar dhe mposhtur ata që duan të na bëjnë keq”, deklaroi Sunak.

Puna për zhvillimin e projektit ka nisur dhe synohet krijimi i një mjeti luftarak ajror që do të jetë i pajisur me shpejtësi, pakapshmëri nga radari, me sensorë të avancuar dhe madje me inteligjencë artificiale për të asistuar pilotin kur ai ndodhet i mbingarkuar ose nën presion.

Avioni, që do të quhet “Stuhia”, do të mund të fluturojë edhe pa ndihmën e pilotit nëse kjo do të kërkohet dhe do të jetë në gjendje të qëllojë raketa hipersonike.

Por prodhimi i një avioni të tillë ka një kosto jashtëzakonisht të lartë. Deri më sot, prodhimi i llojit “F35” ka qenë programi më i shtrenjtë i hartuar nga Pentagoni, ndaj Britania ishte në kërkim të partnerëve.

Italia ishte e përfshirë dhe tani, angazhimi i Japonisë përbën një lëvizje domethënëse, në një kohë kur Britania po përpiqet të gjejë aleatë në rajonin e Indo-Paqësorit, e shqetësuar nga supremacia kineze.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gjendet e vdekur një foshnje në një festival në Miçigan, FBI shpërblim prej 15,000 dollarësh për identifikimin e autorëve

Byroja Federale e Hetimeve, FBI po ofron një shpërblim deri në 15,000 dollarë për informacione që do të ndihmojnë në identifikimin dhe arrestimin e personit ose...
12:40 | 15/07/2026

SHBA sulmon gjatë natës dy provinca në juglindje të Iranit, lëshuan 13 raketa

Shtetet e Bashkuara nisën sulme ndaj Iranit për natën e katërt radhazi të martën, me pjesën më të madhe të fushatës që synonte Sistanin dhe...
12:25 | 15/07/2026

Spanja dhe Gjibraltari festojnë rënien e gardhit kufitar pas nënshkrimit të ‘marrëveshjes historike’

Spanja dhe Gjibraltari po festojnë rënien e gardhit të fundit kufitar në Evropën Perëndimore, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje pas Brexit-it që i jep fund kontrolleve kufitare...
12:17 | 15/07/2026