Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë projektligjin për buxhetin e vitit 2021. Pro miratimit të projektligjit për buxhetin votuan 85 deputetë, ndërsa nuk kishte abstenim dhe as vota kundër.
Buxheti është miratuar me procedurë të shpejtë me një mocion procedural të propozuar nga vetë deputetët. Përveç koalicionit qeverisës, buxheti për vitin e ardhshëm u votua edhe nga partitë opozitare, si Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë kërkoi publikisht, që Parlamenti të mos shpërndahet pa miratuar projektbuxhetin e vitit 2021.
“Dua të siguroj qytetarët, partnerët tanë, bizneset, që ne do të jemi në krye të detyrës, sidomos sa i takon në menaxhimin e situatës në pandemisë, në të cilën kemi treguar rezultate të mira. Unë para jush bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa miratuar buxhetin për vitin 2021.Kam mbajtur një takim edhe me bizneset dhe kërkesa e tyre është që ky buxhet të votohet. Pres që Kuvendi të miratoj buxhetin. Të mos pengohet puna deri në formimin e qeverisë së re”, theksoi Hoti para mediave.
Partitë në Kosovë tashmë presin t’u konfirmohet data, me qëllim që të përgatiten për ”betejën” e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Presidentja në detyrë Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësuesit e partive, por deri tani nuk ka një datë konkrete për mbajtjen e tyre.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në interpretimin e saj shpalli të pavlefshme votën e 61 në Parlament, akt ky, i cili më pas solli rrëzimin e qeverisë së Avdullah Hotit.
Deputeti i Kuvendit, Etem Arifi i cili kishte votën vendimtare për formimin e qeverisë Hotit rezultonte i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata dhe për pasojë, vota e tij u konsiderua e pavlefshme.
Lexoni gjithashtu:
Kosova shkon në zgjedhje të reja, Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë “Hoti”
Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë “Hoti”, Osmani takim me partitë politike për datën e zgjedhjeve