Çështja e Kishës Ortodokse po cenon integrimin e Malit të Zi në BE, thotë deputeti shqiptar
Deputeti shqiptar në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, thotë se instrumentalizimi i fesë për “politika shoviniste” nga Serbia e ka vënë në pikëpyetje procesin e integrimit të Podgoricës në BE.
Sipas tij Presidenti serb Aleksandar Vuçiç “ka marrë zemër” nga përkrahja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për nismën “Open Balkan”, e cila “ia forcon atij pozitat si faktor ndikues për vende si Mali i Zi”.
Në një intervistë për Euronews Albania, Gjeka tha se vetëm përfshirja e grupeve politike “pro-evropiane” mund ta kthejnë Malin e Zi sërish në hapat përpara.
“Mendoj se procesi i integrimit të Malit të Zi në këtë moment është vënë në pikëpyetje dhe nëse nuk do të ketë dialog dhe përfshirje të forcave [politike] pro-evropiane, ne nuk do të ecim përpara,” – u shpreh Gjeka, i cili konsideroi pjesë të krahut “pro-evropian” shumicën e komunitetit shqiptar, boshnjak, kroat dhe malazez.
Të paktën 20 persona u plagosën gjatë një tubimi që përshkallëzoi në përplasje me policinë në fundjavë. Tubimi ishte thirrur për të kundërshtuar, ceremoninë e emërimit nga Serbia të kreut të Kishës Ortodokse në Mal të Zi.
Kleriku Joanikije II, 62 vjeç, zëvendësoi në fundjavë klerikun Amfilohijen, i cili u nda nga jeta prej COVID-19 tetorin e vitit 2020. Ai ishte 82 vjeç. Joanikijes iu desh të udhëtonte me helikopter nga Podgorica në Cetinë për t’iu shmangur protestuesve.
Gjeka tha për Euronews Albania se kjo situatë e tensionuar është parë edhe më përpara në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Ai këmbënguli se në këtë çështje nuk ka të bëjë feja, por “politika nacionaliste dhe shoviniste serbe” që e shfrytëzon atë për të shtrirë ndikimin.
Që pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2006, situata në Malin e Zi mbetet e përçarë lidhur me lidhjet që duhet të mbajnë me Serbinë dhe Kishën Ortodokse serbe. Dy vitet e fundit autoritetet kanë hasur në protesta të shumta nga pakicat serbe, pas një ligji që detyron regjistrimin e pronave të kishës.
Gjeka i kërkoi politikës shqiptare në Shqipëri të jetë e kujdesshme me qasjet dhe qëndrimet që mban karshi Serbisë. Ai kujtoi këtu programin “Open Balkan” dhe tha se përmes tij Beogradi synon të kthehet në faktor edhe më të madh në rajon.
“Open Balkan mendoj se i ka dhënë zemër Vuçiçit të vijojë me këto politika,” – analizoi Gjeka më tej duke lidhur zhvillimet rajonale me çështjen në Mal të Zi.
LEXONI GJITHASHTU:
Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
PZAP gjobit Vetëvendosjen me 5,100 euro për përfshirjen e një fëmije në fushatë zgjedhore
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta