Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zhvilluan këtë të martë raundin e parë të negociatave për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë.
Në takim merrnin pjesë vetëm zyrtarë amerikane dhe rusë, ndërkohë që evropianët janë përjashtuar nga bisedimet. Në takim mungonin edhe përfaqësues nga Ukraina.
Një nga elementët kyç të diskutuar ishte mbajtja e zgjedhjeve të reja në Ukrainë, me supozimin se presidenti aktual, Volodymyr Zelenskyy, ka gjasa të ulëta për t’u rizgjedhur.
Moska beson se një kandidat tjetër do të ishte më fleksibël dhe më i gatshëm për negociata.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Riad, pas takimit, Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, së bashku me të dërguarin e Lindjes së Mesme, Steve Witkoff dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, ndanë disa nga pikat kyçe që u diskutuan në negociata.
Çfarë deklaroi Marco Rubio:
- Qëllimi i takimit: Rubio theksoi se qëllimi i takimit të sotëm ishte vazhdimi i bisedës telefonike të Presidentit të SHBA-së Donald Trump me Presidentin rus Vladimir Putin javën e kaluar, si dhe krijimi i kanaleve të komunikimit të vazhdueshëm.
- Përkushtimi i Rusisë: Rubio shprehu besimin se Rusia është e gatshme të angazhohet në një proces serioz për të përfunduar luftën në Ukrainë.
- Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike: Ai njoftoi se SHBA dhe Rusia do të rivendosin ambasadorët e tyre dhe do të sigurojnë funksionimin normal të misioneve diplomatike për të vazhduar bisedimet.
- Përfshirja e Ukrainës dhe BE-së: Rubio u shpreh se, megjithëse Ukraina nuk ishte e pranishme në këtë takim, SHBA do të përfshijë Ukrainën dhe BE-në në bisedimet e ardhshme. Ai shtoi se të gjitha palët duhet të jenë të pranuara dhe të përfshira në zgjidhjen e konfliktit.
- Sanksionet dhe koncesionet: Rubio theksoi se do të jetë e nevojshme që të bëhen koncesione nga të gjitha palët për t’i dhënë fund konflikteve, dhe se BE-ja duhet të jetë pjesë e tryezës pasi ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
- Procesi i gjatë për paqen: Sekretari i Shtetit përfundoi duke thënë se takimi i Riadit ishte “hapi i parë i një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë” për të arritur paqen në Ukrainë.
Pas fjalës së Rubio, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, mbajti një konferencë për shtyp dhe dha komentet e tij:
- Për bisedimet: Lavrov e cilësoi takimin e sotëm si një “bisedë shumë të dobishme” dhe shprehu besimin se SHBA tani ka kuptuar më mirë pozicionin e Rusisë.
- Për ambasadorët: Ai njoftoi se Rusia do të emërojë ambasadorin e saj pas emërimit të përfaqësuesit të SHBA-së.
- Kundërshtimi i zgjerimit të NATO-s: Lavrov përsëriti se çdo zgjerim i NATO-s dhe pranimi i Ukrainës do të ishte një “kërcënim i drejtpërdrejtë” për Rusinë.
- Për forcat paqeruajtëse në Ukrainë: Ai theksoi se çdo forcë paqeruajtëse nën ndonjë flamur tjetër do të ishte e papranueshme dhe nuk do të ndryshonte situatën.
- Përfshirja e Ukrainës në bisedime: Lavrov nuk dha koment mbi mundësinë e përfshirjes së Ukrainës në bisedimet e ardhshme, ndërkohë që Ukraina ka deklaruar se nuk do të pranojë një marrëveshje paqeje pa pjesëmarrjen e saj.
Gjatë kohës që mbaheshin negociatat, pati edhe një reagim të Kremlinit, ku zëdhënësi Dmitry Peskov tha se Rusia është dakord për anëtarësimin e Ukrainës në BE, por jo në NATO.
Nga ana tjetër, Zelenskyy ka refuzuar çdo marrëveshje paqeje në të cilën nuk përfshihet Ukraina.
LEXONI GJITHASHTU:
- Lavrov diskuton krizën e Ukrainës me ambasadorët e Amerikës Latine
- Bisedimet SHBA-Rusi, Zelensky me Erdogan: S’i dorëzohemi “ultimatumeve” të Moskës