Reshjet e shiut të rëna me intensitet të lartë kanë shkaktuar dëme të shumta në infrastrukturën rrugore. Zëvendësdrejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erion Koka u shpreh në Euronews Albania se dëmet janë të mëdha, por nuk dha shifra konkrete.
“Praktikisht jemi të vetëdijshëm për problematikën që kemi në situatën rrugore. Çështje bilanci nuk mund të kemi në këtë moment, por presim që të qetësohet situata. Si detyrë kryesore ne kuadër të emergjencës kemi hapjen e rrugëve dhe monitorin e skarpateve, që janë në rrezik”, tha ai.
Ai tha se tek ato segmente rrugore, të cilat janë dhënë me koncesion ARRSH nuk ka të drejtë të ndërhyjë.
“Rrugët që jepen me koncesion jepen me një ligj të posaçëm, që varet nga Ministria e Infrastrukturës dhe nuk varet nga ARRSH. Drejtpërdrejt në nuk na lejohet të ndërhyjmë”, tha ai.
Sa i takon shkatërrimit të rrugës në Borsh, z. Koka thotë se duhet reth 20 milionë lekë të reja për të ndërhyrë në të, fond i cili shtoi ai është i pa përballueshëm për financat publike.
“Rruga në Borsh është rikonstruktuar herët dhe ka pasur zgjerime dhe më pas me një projekt të Bankës Botërore është mirëmbajtur. Kjo pjesë që në shohim sot, kërkon 200 mln lekë të vjetra për ndërhyrje në të dhe kjo nuk mund të përballohet të investohet nga shteti”, tha ajo.
Gazetarja e Euronews Albania, Bruna Çifligu insistoi me pyetjen e saj për një bilanc paraprak të dëmeve të shkaktuara nga reshjet, por z. Koka u tregua hermetik në këtë çështje.
“Nuk është se kemi një plan më të saktë, sepse mbulohen nga fondi që ka mirëmbajtja. Kur kemi shkatërrime urash dhe rrugësh, atëherë ne kalojmë në investime. Një vlerë të përafërt nuk kemi, që është e ndarë vetëm në aspektin e reshjeve”, u shpreh z. Koka.