Dokumentet daneze: SHBA kërkoi fshehurazi informacione ushtarake për Groenlandën

18 Janar 2026 | 14:37

Dokumente të panjohura më parë nga mbrojtja daneze tregojnë se Ministria e Mbrojtjes dhe udhëheqja e lartë ushtarake daneze ishin të shqetësuar se Shtetet e Bashkuara, në mënyrë informale dhe pa përfshirë Kopenhagenin, po përpiqeshin t’i bindnin kolegët danezë në Groenlandë të dorëzonin informacione në lidhje me instalimet ushtarake, portet dhe bazat ajrore në Groenlandë.

Kështu raporton gazeta daneze Berlingske, e cila i referohet dokumenteve të vitit 2025, të Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Danimarkës, të cilat i ka parë në një version të redaktuar për arsye të sigurisë kombëtare.

Sipas gazetës, kontakti dyshohet të ketë ndodhur jashtë kanaleve zyrtare, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe udhëheqjes ushtarake daneze. Dokumentet tregojnë se një ushtarak amerikan, në dy raste brenda një intervali prej gjashtë ditësh gjatë janarit 2025, i ka kërkuar informacion Komandës së Arktikut, strukturës ushtarake daneze përgjegjëse për Groenlandën.

Berlingske shkruan se kërkesat lidhen me infrastrukturën e Groenlandës. Herën e parë kërkesa është bërë më 16 janar 2025, ndërsa më 26 janar Ministria e Mbrojtjes është njoftuar sërish se i njëjti person i paidentifikuar kishte kërkuar informacion shtesë.

Ministria u informua menjëherë për shkak të “klimës strategjike” në lidhje me Groenlandën. Po ashtu u informua edhe e gjithë udhëheqja e lartë e mbrojtjes daneze, përfshirë Shefin e Mbrojtjes.

Zhvillimet vijnë në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht gjatë vitit të kaluar se SHBA-të synojnë të marrin kontrollin e Groenlandës, duke përshkallëzuar së fundmi edhe retorikën. Të shtunën, Trump shkroi në rrjetin social Truth Social se Danimarka dhe disa vende evropiane do të përballen me tarifa prej 10 për qind për shkak të mosmarrëveshjeve mbi Groenlandën.

Në fillim të janarit 2025, konkretisht më 7 janar, Groenlandën e kishte vizituar edhe Donald Trump Jr., djali i presidentit amerikan. Megjithatë, sipas Berlingske, mbetet e paqartë nëse informacioni i kërkuar iu dorëzua realisht SHBA-së dhe, nëse po, çfarë përmbajtjeje kishte ai. Gazeta thekson se është e qartë që forcat daneze në Groenlandë iu përgjigjën kërkesave amerikane me mirësi dhe frymë bashkëpunimi.

Ministria daneze e Mbrojtjes nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë çështje. Ndërkohë, Ambasada amerikane në Kopenhagen i tha gazetës se “nuk duhet të habisë askënd” fakti që SHBA-të mbajnë dialog dhe kontakte me partnerët në Groenlandë dhe Danimarkë, “teksa punojmë së bashku për të garantuar sigurinë në të gjithë aleancën dhe në Arktik”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 920

Numri i të vdekurve nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën është rritur në 920, ndërsa numri i të plagosurve ka arritur në 3,360,...
21:13 | 26/06/2026

Agjencia detare e OKB: Evakuohen 115 anije nga Ngushtica e Hormuzit

Agjencia detare e OKB-së bëri të ditur se që nga e marta janë evakuuar rreth 115 anije dhe 2,500 detarë nga Ngushtica e Hormuzit, ndërsa...
20:50 | 26/06/2026

Trump kërcënon me tarifa 100% ndaj vendeve që taksojnë kompanitë amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa prej 100% për importet nga çdo vend që miraton një taksë...
20:47 | 26/06/2026