Trdihjetë vite pas rënies së regjimit komunist shqiptarët vijojnë të largohen nga vendi. Por ndryshe nga largimet e viteve 92’-96’ dhe 98-2005, në këtë valë të tretë që ka nisur në vitin 2013 shqiptarët që ikin nga vendi janë njerëz të kualifikuar dhe arsim të lartë që kërkojnë jashtë Shqipërisë një standard më të lartë social dhe jo thjesht mbijetesën.
Konkluzionet për këtë emigrim të shqiptarëve dolën gjatë një konferencë online, ku mori pjesë Presidenti Meta dhe ku ekspertë të fushës treguan shkaqet e këtij fenomeni shqetësues.
Ekspertë si Ines Nurja, Ilir Gëdeshi, Sherif Bundo, Zef Preçi, apo dhe Sherefedin Shehu e lidhën kryesisht prirjen për t’u larguar nga vendi me faktorët ekonomikë.
Ines Nurja, ish-drejtuese Institutit të Statistikave, foli kryesisht për treguesit e migracionit. Ajo kujtoi censusin e fundit të kryer në Shqipëri (viti 2011) ku popullsia ishte 2.83 milionë banorë, dhe tha se ky numër ishte rreth 440 mijë më pak se popullsia e vitit 1990.
Profesor Ilir Gëdeshi, drejtues i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Sociale, tha se të rinjtë që shkojnë për t’u shkolluar nuk kthehen më.
“Vërehet me shqetësim që jashtë vendit po ikin fëmijët e elitës intelektuale të vendit. Problematik është fakti që 94% e tyre nuk dëshiron të kthehet në Shqipëri. Kjo është një humbje e madhe për vendin, sepse kapitali më i kualifikuar human,” – u shpreh Gëdeshi.
Ndërsa profesor Sherif Bundo ikjen e konsideroi si një lloj dëbimi, kryesisht prej mungesës së politikave që u sigurojnë punën dhe sipërmarrjet të rinjve.
“Po largohet nga Shqipëria grup-mosha më energjike dhe më e kualifikuar, tregues tepër tronditës. T’i vrasësh rinisë shpresën është njësoj si ta dëbosh me forcë nga vendi. Është njësoj siç Sllobodan Millosheviçi dëbonte me forcë shqiptarët nga Kosova,” – tha Bundo.
Ish-zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu e zgjeroi temën e diskutimit duke e lidhur kryesisht emigracionin me situatën e përgjithshme politike. Ai e lidhi kryesisht largimin në masë të popullsisë me pasigurinë makroekonomike, politike dhe juridike.
“Braktisja e Shqipërisë nxitet nga keqqeverisja, veçanërisht nga moszbatimi i ligjit. Jemi vendi i parë në rajon sa i takon keqqeverisjes. Është vetëm Shqipëria në rajon që ka një indeks negativ të lartë sa i takon politikave qeverisëse, me – 0.6%,” – u shpreh Shehu.
Për presidentin Meta emigrimin është një kërcënim për perspektivën kombëtare. Kreu i shtetit identifikoi si problem shumë serioz ikjen e trurit nga vendi dhe se kjo që po ndodh në Shqipëri është më e madhe se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor.
“Vendi ynë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk vuan një emigrim problematik në nivele të pranueshme, por po përjeton një erozion demografik, referuar stastikave bindëse. Kjo situatë ka bëjë me kërcënimin e perspektivës sonë kombëtare. E theksoj si më të rëndësishme për t’u ndalur është intensifikimi shqetësues i largimit të trurit,” – tha Meta.
Gjatë 30 viteve post-komunizëm, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Shqipërinë e kanë braktisur rreth 1.2 milionë banorë.
Lexoni gjithashtu:
Dita e Diasporës, Meta: 64% e emigrantëve ilegalë në Europë, nga rajoni, janë shqiptarë
Meta: Koha për t’i thënë kurrë më çdo projekti izolues dhe shpopullues