Euronews Albania zbulon projekt-kuadrin dhe raportin për Shqipërinë: 4 kushte të mbetura për çeljen e negociatave

2 Korrik 2020 | 08:30

Një ditë pas dorëzimit pranë vendeve anëtare nga Komisioni Evropian, Korrespondenti i Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri, zbulon projekt-kuadrin negociues dhe raportin e përditësuar që e shoqëron, në lidhje me ecurinë e vendit në përparësitë e theksuara në Këshillin e marsit.

Raporti i Komisioni Evropian nis me renditjen e kushteve të vendimit të Marsit që duhet të plotësohen nga vendi para çeljes zyrtare të negociatave. Pasi bën një shpjegim në detaje të situatës dhe masave në vend për përballimin e pandemisë, duke shtuar dhe procesin e rindërtimit pas tërmetit, Komisioni vlerëson se qeveria e ruajti fokusin edhe tek axhenda evropiane.

Ecuria me kushtet para negociatave

Për përmbushjen e kushteve të nevojshme për nisjen zyrtare të negociatave, Komisioni e nis me:

–       Reformën zgjedhore dhe gjithë detajet e marrëveshjes së arritur me 5 qershor, e cila mbetet ende për t’u miratuar.

–       Për zbatimin e reformës në drejtësi dhe të procesit të vetingut, vlerësohet vijimi i punës pavarësisht pandemisë, dhe theksohet rezultati prej 63% të gjykatësve dhe prokurorëve të shkarkuar apo që kanë dhënë dorëheqjen deri më sot.

–       Për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, shënohet arritja e quorumit në këtë të fundit në Mars, si dhe nisja e disa funksioneve bazë të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa për vijimin theksohet ndjekja e rekomandimit të Komisionit të Venecias të 19 qershorit.

–       Për strukturat e reja të specializuara në fushën e anti-korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë Zyrën e Prokurorisë Speciale brenda SPAK, shënohet se janë ngritur dhe kanë nisur nga puna. Mbetet vetëm përmbyllja e procedurave për emërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

–       Në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, renditen të gjitha masat, strukturat e reja, veprimet kombëtare dhe ato në bashkëpunim me vende të tjera, numërohen pasuritë e sekuestruara, arrestimet, numri i dënimeve…

Por ajo që bie në sy ndërkohë është që ndërsa për organizata apo individë kriminalë shifrat tregojnë jo vetëm numrin e hetimeve por edhe dhe të dënimeve, për zyrtarët e nivelit të lartë, për të cilët numërohen 22 raste kallëzimesh në prokurori, nuk ka akoma asnjë dënim përfundimtar nga sistemi i drejtësisë në vend.

Në këtë përparësi përfshihet e dhe pjesa e rekomandimeve që Shqipëria duhet të ndjekë sipas një plani konkret veprimi për përmbushjen e rekomandimeve të paketës Moneyval.

Dy përparësi të tjera shtesë që u kërkuan nga Këshilli ishin çështja e azilantëve dhe ligji i medias.

–       Në lidhje me aplikimet e parregullta për azil, sipas Komisionit, përveç fushatave ndërgjegjësuese dhe kontrolleve të rrepta në kufijj, Shqipëria ka kërkuar dhe përmirësimin e dialogut me vendet e prekura, e për këtë janë shkëmbyer oficerë ndërlidhjeje mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Ndërsa në lidhje me kërkesat për azil, Komisioni vëren ulje të tyre në vitin 2019 me rreth 3% më pak se viti 2018 dhe 20% më pak krahasuar me vitin 2017.

–       Për ligjin për median, Komisioni mban shënim angazhimin se ky ligj do të përmirësohet duke ndjekur rekomandimet të Komisionit të Venecias para miratimit përfundimtar në Kuvend.

Vlerësimi për kushtet pas nisjes së negociatave

Në pjesën e dytë të raportit të Komisionit, përfshihen edhe ato përparime që janë bërë si dhe çfarë mbetet në pjesën e kushteve që duhet të plotësohen gjatë procesit të negociatave:

–       Për nisjen e procedurave penale kundër gjykatësve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale, për 23 subjekte kanë nisur hetimet në prokurori, përfshirë për 10 ish-gjyqtarë të lartë.

–       Për nisjen e procedurave penale për blerje votash, renditen numri i kallëzimeve dhe gjyqeve të kryera si dhe ato që janë në proces e sipër, siç është rasti i dosjeve 184 dhe 339.

–       Në lidhje me reformën e administratës publike vlerësohet së vendi ka vijuar zbatimin e masave të sukseshme prej vitesh.

–       Për vendimin përfundimtar mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit shpjegohet se çështja është parë nga Gjykata Kushtetuese, dhe se u vendos kalimi i saj tek Kolegji i gjykatës kushtetuese, që kërkon numrin e plotë të anëtarëve të saj.

–       E ndërsa miratimi i legjislacionit zbatues për ligjin për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare pritet në tetor, miratimi i ligjit për censusin e ri dhe dhe finalizimi i legjislacionit zbatues për procesin e regjistrimit të pronave, që është vonuar nga Covid-19, pritet së shpejti.

Në fund të raportit renditen përfundimet e përditësimit të Komisionit për kushtet që mbeten për t’u plotësuar para mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare.

“Përfundime:

Në përgjithësi, dhe megjithë sfidat e shtruara nga shpërthimi i Covid-19, Shqipëria ka vijuar të tregojë angazhimin e saj dhe dorëzoi rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në fushat kyçe të identifikuara në Përfundimet e Këshillit të Marsit 2020. Në veçanti, Shqipëria ka përparuar tashmë në përmbushjen e kushteve që duhen plotësuar para Konferencës së parë Ndërqeveritare.

Pritet përparim i mëtejmë, sidomos:

  1. Për miratimin e reformës zgjedhore, pas marrëveshjes politike të 5 qershorit.
  2. Për të garantuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
  3. Për të përmbyllur procedurat për emërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
  4. Dhe në përforcimin e mëtejmë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili mbetet një qëllim afat-gjatë, (përfshirë nëpërmjet zbatimit të masave fillestare të planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve të Task Forcës së Veprimit Financiar).”
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026