Evropa ‘thahet’ për ujë, tkurren rezervat ujore në Francë, Spanjë dhe Itali

9 Gusht 2022 | 23:00

Thatësira më e ashpër që ka përfshirë Evropën në dekada po prek qytetarët e thjeshtë, fermerët, fabrikat dhe sektorë të tjerë në mbarë kontinentin.

Gjithçka, në një kohë kur ekspertët paralajmërojnë dimër më të thatë dhe verë më përvëluese, nën ndikimin e ngrohjes globale.

Kjo do të thotë se edhe ezaurimi i rezervave ujore do të jetë normaliteti i ri.

Observatori Evropian për Thatësirën ka llogaritur se 45 për qind e territorit të bllokut ndodhet në situatë alarmante që prej gjysmës së korrikut, me 15% të tij në alarm të kuq, gjë që ka shtyrë Komisionin Evropian të paralajmërojë për situata kritike në shumë rajone.

Në Francë, kryeministrja Elisabeth Borne aktivizoi javën e kaluar një grup të posaçëm për t’i bërë ballë motit të thatë të vendit, i konsideruar si më i rëndi që prej nisjes së regjistrimit të tij në 1958-n.

Gjithashtu, mbi 100 komuna franceze nuk kanë ujë të pijshëm dhe po furnizohen nga autobotë. Ministri për Klimën, Christophe Bechu deklaroi se qytetarët duhet të mësohen me episode të tilla. “Përshtatja nuk është më një opsion, por një detyrim”, tha ai.

Vala e të nxehtit që ka dominuar në vend që prej qershorit dhe thatësira prej muajit maj kanë bërë që shtrati i lumit Loire të arrijë një nivel më të ulët se zakonisht, aq sa në disa pjesë të tij mund të kalohet në këmbë.

Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në Spanjë, ku rezervat ujore janë tkurrur me 40 për qind dhe po bien me një mesatare prej 1.5 për qind në javë, si pasojë e konsumit të rritur dhe avullimit. Sipas qeverisë së kryeministrit Pedro Sanchez, bëhet fjalë për thatësirën më të rëndë në 60 vitet e fundit.

Vendi ka përjetuar më pak se gjysmën e shirave të pritshme gjatë vitit dhe për rrjedhojë, kufizimet kanë hyrë në fuqi nga rajoni i Katalonjës në veri-lindje deri në Galicia, në veri-perëndim, si dhe në rajonet e Andaluzisë dhe Ekstremadurës në jug.

Një nga treguesit kryesorë të krizës është edhe lumi Po. Një nga rrjedhat kryesore të Italisë, ai ka rënë në një të dhjetën e kuotës së zakonshme, ndërsa niveli i ujit është 2 metra më poshtë se normalja.

Qeveria italiane shpalli më herët emergjencën e thatësirës në 5 rajone veriore, duke racionuar ujin e pijshëm që në fillim të korrikut. Edhe fshatrat përreth Lago Maxhore po furnizohen me autobotë.

Me shirat që mungojnë që prej nëntorit, prodhimi me oriz në luginën Po, që llogarit rreth 40 për qind të prodhimit italian të agrikulturës, është në rrezik.

Por kriza nuk është e kufizuar vetëm në jug të Evropës. Probleme janë shfaqur edhe në vende të tjera si Gjermani, Zvicër, Holandë, Belgjikë, e të tjera.

 

LEXONI GJITHASHTU:

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Energjia diellore i kursen 12.8 miliardë euro për Evropën mes krizës së naftës dhe gazit

Energjia diellore po luan një rol kyç në mbrojtjen e ekonomisë evropiane nga kostot e larta të importit të lëndëve djegëse fosile, ndërsa tensionet në...
15:11 | 06/06/2026

Vizita në Spanjë, Vatikani: Papa Leo do të takohet me të mbijetuarit e abuzimit seksual nga kleri katolik

Papa Leo do të takohet me të mbijetuarit e abuzimit seksual nga kleri katolik gjatë vizitës së tij njëjavore në Spanjë. Kështu ka njoftuar Vatikani...
21:28 | 05/06/2026

Trupi i gjetur në një depo i përket 11-vjeçares së zhdukur në Francë, shkaqet e vdekjes ende nuk dihen

Trupi që u gjet të enjten në një depo në Francë, i përket Lianës 11-vjeçare, e cila ishte zhdukur prej ditësh. Trupi i fëmijës është identifikuar...
21:14 | 05/06/2026