Ishte larg vetëm pesëmbëdhjetë metra kur shpërtheu bombola e gazit të martën pasdite, në një lokal në Ferizaj.
“Diku 15 metra afër ngjarjes kemi dëgjuar një shpërthim shumë të fortë dhe menjëherë xhamat e shitoreve u thyen”, u shpreh dëshmitari Xhemajl Idrizi.
44 persona morën plagë, mes tyre edhe fëmijë. Të plagosurit më lehtë u dërguan në Spitalin Rajonal të Ferizajt.
“Dhe një numër i tyre besoj se lirohen për në shtëpi. Po ashtu edhe pacientët që kanë pasur lëndime më të lehta, pasi kanë marrë trajtimin, janë liruar në shtëpi”, tha Segedin Fazliu, shef i shërbimit të Emergjencës në Ferizaj.
Por, 14 nga ta, janë dërguar për trajtim në Qendra kombëtare e urgjencave të Kosovës, pasi kanë pësuar djegie deri në 30 % të trupit.
“Shtatë prej tyre kanë djegie të mëdha, gjegjësisht të rënda. Sipërfaqja e tyre sillet prej 30 deri në 50 për qind”, tha Dren Buja, drejtor i kirurgjisë plastike në QKUK.
Të plagosurit i vizitoi ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani. Ajo tha se institucionet shtetërore duhet të vendosin prioritet ndërtimin e një qendre për trajtimin e djegieve.
“Numri i përafërt i rasteve të djegies të cilët trajtohen këtu në QKUK është mbi 100 në vit që është një numër jashtëzakonisht i madh. Duhet të ketë një qendër të djegies ashtu siç i kanë spitalet në rajon dhe Evropë”, tha Vjosa.
Koordinimi i shpejtë nga strukturat shëndetësore mes spitalit të Ferizaj dhe Qendrës Kombëtare të Urgjencave të Kosovës, u përgëzua dhe nga ministri I shëndetësisë, Armend Zemaj.
“Ne i vizituam edhe fizikisht. Janë duke u trajtuar. Vlen të theksohet që koordinimi i mirë mes spitalit të Ferizajt dhe emergjencës së QKUK-së tregon përkushtimin e profesionistëve shëndetësorë”, tha ai.
Ministri Zemaj deklaroi se nëse ka nevojë, pacientët në gjendje më të rëndë, do të dërgohen edhe jashtë vendit për trajtim. Në gjendje më të rëndë janë disa të lënduar, përfshirë një vajzë 20 vjeç. Hetimet e deritanishme kanë përforcuar pistën se shpërthimi ka ardhur si pasojë e rrjedhjes së gazit në lokal
Lexoni gjithashtu:
Shpërthimi në Ferizaj, 6 pacientë me djegie të thella, një 20-vjeçare në gjendje të rëndë
Rëndohet bilanci i të lënduarve nga shpërthimi në Ferizaj të Kosovës