Subjektet politike në Kosovë që garojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit, mund të shpenzojnë për fushatën elektorale deri në 934 mijë euro.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë një përllogaritje të tillë nisu nga fakti se vendi numëron 1.8 milionë qytetarë me të drejtë vote dhe shpenzimi për një votues është 0.5 euro.
Por, Kosova ashtu si shumë vende të tjera të rajonit vuan nga mungesa e transparencës së financimeve të partive politike.
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës thotë se në zgjedhjet e kaluara ishte evidente që partitë kryesore e tejkaluan këtë tavan të vendosur nga KQZ.
“Për zgjedhjet e vitit 2019, kemi evidentuar që vetëm 5 partitë kryesore kanë shpenzuar 4 milionë uro në 10 ditë fushatë”, deklaron ai.
Sipas Cakollit partitë “ia hedhin ligjit” për shkak të pamundësisë për auditimin e shpenzimeve të tyre nga ana e KQZ-së.
“Shumica e partive shpenzojnë miliona euro në fushatë por nuk i raportojnë ato në KQZ”, tha hulumtuesi.
Eugen Cakolli për fushatën aktuale thotë se partitë të kufizuara nga pandemia do të bëjnë më shumë shpenzime për fushatë në rrjete sociale, ku Facebook është më kryesori.
Përveç çështjes së financimeve, ai përmendi si shqetësim dhe faktin që në listën e kandidatëve për të deputet, shumë parti kanë përfshirë persona të dënuar apo që janë nën akuzë nga drejtësia.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës tha se 5 milionë euro ndahen çdo vit për partitë politike që janë prezent në Parlament ndërsa 10 milionë euro përllogaritet pasuria e partive parlamentare në asete dhe kapital.