G7 mbyllet me fokus Ukrainën, Zelensky: Premtimet duhet të kthehen në veprime

17 Qershor 2026 | 22:27

Samiti i G7, i cili u mbyll sot, 17 qershor, u dominua nga diskutimet për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në zhvillimet globale. Në përfundim të takimeve, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dha një mesazh të qartë për aleatët perëndimorë: Është thelbësore që gjithçka për të cilën u diskutua të vihet në praktikë.

Presidenti amerikan Donald Trump ishte në qendër të vëmendjes gjatë samitit, ndërsa liderët evropianë u përpoqën të ruanin një klimë bashkëpunimi me Uashingtonin, pavarësisht mosmarrëveshjeve të mëparshme. Në këtë atmosferë, Trump deklaroi se pas përfundimit të konfliktit me Iranin, vëmendja ndërkombëtare duhet të përqendrohet te lufta në Ukrainë.

Ndërkohë, vendet evropiane po përgatiten për një rol më aktiv në Lindjen e Mesme. Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në operacionet e pastrimit të minave në Ngushticën e Hormuzit, pas marrëveshjes së arritur mes SHBA-ve dhe Iranit.

Dita e djeshme e samitit iu kushtua kryesisht Ukrainës. Zelensky zhvilloi takime me liderët e G7, përfshirë edhe Trumpin, duke kërkuar më shumë mbështetje ushtarake për vendin e tij.

Sipas të dhënave të Institutit Kiel, SHBA nuk ka dërguar ndihmë të re ushtarake për Ukrainën që nga shkurti i vitit 2025. Për këtë arsye, Zelensky kërkoi jo vetëm vazhdimin e mbështetjes, por edhe mundësinë që Ukraina të prodhojë vetë një pjesë të sistemeve mbrojtëse Patriot.

Presidenti ukrainas paralajmëroi se Rusia vazhdon të rrisë kapacitetet ushtarake, duke prodhuar rreth 60 raketa balistike në muaj, ndërsa kapacitetet perëndimore për t’i neutralizuar ato mbeten të kufizuara.

Një tjetër temë kyçe ishte fondi “Purl”, mekanizmi i NATO-s për financimin e blerjes së armëve amerikane për Ukrainën. Deri më tani janë mbledhur rreth 6 miliardë dollarë, ndërsa objektivi për vitin 2026 është 15 miliardë dollarë.

Zelensky u bëri thirrje vendeve që ende nuk kontribuojnë në këtë fond, përfshirë Italinë, që të rrisin angazhimin e tyre. Megjithatë, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, konfirmoi se Roma vijon të kundërshtojë pjesëmarrjen në program.

Në fund të samitit, lideri ukrainas përsëriti se mbështetja ndaj Kievit duhet të shkojë përtej deklaratave politike, duke kërkuar më shumë armë, sanksione më të forta ndaj Rusisë dhe presion diplomatik të koordinuar për të detyruar Moskën të rikthehet në tryezën e negociatave.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shkencëtarët zbulojnë depozitën më të madhe të arit në planet: Problemi është se është “e padukshme”

Japonia ka gjetur një vend potencialisht ideal për të ndërtuar një minierë ari nënujore komerciale, megjithëse pyetja nëse një projekt i tillë duhet të vazhdojë...
08:22 | 14/07/2026

Çmimet e naftës u rritën pas kërcënimeve të Trump për të vendosur tarifa për anijet që kalojnë në Hormuz

Çmimet e naftës u rritën me më shumë se gjashtë përqind sot, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Uashingtoni do të rivendosë një...
08:11 | 14/07/2026

SHBA-të zgjerojnë sanksionet kundër Kubës, duke synuar edhe sektorin e turizmit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sot sanksione të reja ndaj Kubës, duke shtuar Ministrinë Kubane të Turizmit në listën e subjekteve të sanksionuara. Ministria...
08:07 | 14/07/2026