Me mijëra gjeorgjianë u mblodhën para parlamentit për të shprehur dëshirën dhe gatishmërinë e tyre për t’u bërë pjesë e familjes europiane.
Në fund të javës, Gjeorgjia pret vendimin final nga Këshilli Evropian dhe qytetarët vendosën të shprehin përkushtimin e tyre ndaj vlerave perëndimore.
“Rruga jonë evropiane është e rëndësishme për të gjitha brezat e Gjeorgjisë. Kërkesa jonë më e madhe është të mos e lëmë vendin përballë me Rusinë. Ne u bëjmë thirrje vendeve evropiane që të mos bëjnë të njëjtin gabim si në vitin 2008 gjatë samitit të NATO-s, kur Gjeorgjia dhe Ukraina nuk mundën të merrnin Planin e Veprimit të Anëtarësimit në Aleancë. Kjo çoi drejtpërdrejt ose tërthorazi në luftën që Rusia filloi në Gjeorgji në vitin 2008 dhe më pas kundër Ukrainës në 2014 dhe 2022″, tha ekspertja e politikës, Khatuna Lagazidze.
“Evropa nuk është gjë tjetër veçse e kaluara jonë historike. Paraardhësit tanë u sakrifikuan për të bërë që vendi të jetojë me dinjitet. Ata vdiqën për lirinë e vendit dhe bashkëqytetarëve tanë. Ne jemi këtu që brezi i ri të ketë një jetë dinjitoze dhe të lumtur. Për të pasur një edukim të duhur dhe për të përfituar sa më shumë nga jeta. Evropa është barazi dhe ku ka barazi, ka edhe lumturi”, theksoi ekspertja e medias, Nino Danelia.
Anëtarët e Parlamentit Evropian dhe ushtarët gjeorgjianë që luftojnë në Ukrainë iu drejtuan popullit gjeorgjian gjatë marshimit. Demonstratës i janë bashkuar edhe studentët nga universitetet gjeorgjiane. Ata thonë se e ardhmja evropiane e Gjeorgjisë është në rrezik.
“Sot është një ditë e rëndësishme sepse, pavarësisht pikëpamjeve tona politike, ne jemi të bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët. Mendoj se ky është një hap tjetër drejt suksesit dhe besojmë se do të sjellë një të ardhme më të mirë për ne”, u shpreh studentja Saba Meupishvili.
Demonstruesit marshuan në Sheshin e Evropës, ku u mbajt pjesa përfundimtare e marshimit. Kanë mbetur edhe pak ditë që Këshilli Evropian të shpallë vendimin për statusin e vendit kandidat të Gjeorgjisë.
“Qytetarët i kërkuan qeverisë gjeorgjiane të ndërmarrë hapa efikase për ta afruar Gjeorgjinë më pranë vlerave evropiane. Ata besojnë se mos të qenurit në familjen evropiane do ta lërë vendin vetëm përballë Rusisë. Qytetarët u kanë bërë thirrje vendeve evropiane që të mos e lënë Gjeorgjinë në izolim. Sipas sondazheve të organizuara nga organizatat ndërkombëtare, rreth 80% e gjeorgjianëve mbështesin integrimin e vendit në familjen evropiane”, raportoi gazetarja e Euronews, Mariam Kukhilava.
LEXONI GJITHASHTU
- Brukseli mbështet Ukrainën dhe Moldavinë si kandidate për anëtarësim në BE
- Besueshmëria e BE-së, Ukraina dhe Ballkani presin sinjale të qarta nga Evropa